Lirohet në procedurë të rregullt mjeku nga Podujeva

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se mjeku nga Podujeva që u arrestua për shkak se nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore një qytetarë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, është liruar mbrëmë me procedurë të rregull.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ju njofton se i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., i cili ishte ndaluar më 15.04.2021, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, në drejtim të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të KPRK-së, i njëjti, më 16.04.2021, në orën 17:30, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Kosovës.

Mjeku I.H. ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi në një video të publikuar, ai ishte parë duke i kërkuar një pacienti të largohet nga ndërtesa e QMF-së, ku dyshohet se nuk i ka ofruar ndihmë mjekësore.

Koleget e doktorit në fjalë, kanë protestuar gjatë ditës së djeshme duke kërkuar lirimin e tij.

Ai ishte suspenduar nga puna me vendim të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Podujevës.

Suspendohet mjeku në Podujevë pasi nuk i ofroi ndihmë një të moshuari