Lirohet ish-kreu i OVL të UÇK-së, pas incidentit në kafene

Faik Fazliu, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së është liruar para disa minutave nga mbajtja.

Lajmin e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit aktual të OVL- UÇK-së, Faton Klinaku.

“Ju informoj se sapo u lirua ish kreu i OVL UÇK-së, Faik Fazliu. Gjykata tani i ka edhe faktet me video, të ushtrimit të dhunës ndaj tij gjatë arrestimit”, tha Klinaku.

Gjatë ditës së sotme Klinaku bëri publike edhe disa pamje ku shihej Fazliu deri sa po fliste me disa zyrtarë policorë në një kafene në Prizren ndërsa pamjet tregojnë edhe një moment kur ai bie në tokë pasi zyrtarët policorë e shtyjnë atë.

Pamje nga incidenti në Prizren pas të cilit u arrestua ish-kryetari i OVL të UÇK-së

KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka raportuar për arrestimin e Fazliut.

I njëjti ishte dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se ka kërcënuar një zyrtar policor mbrëmë në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren.