Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lirohet Dardan Molliqaj

Kryetari Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është liruar pasi u arrestua dje për 48 orë nga Policia e Kosovës.

Molliqaj u arrestua pas një aksioni që zhvilloi bashkë me disa aktivistë të tjerë të PSD-së kundër një vendimi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Lajmin për lirimin e Molliqajt e dha Natyra Kuçi, anëtare e PSD-së.

“Pas presionit të madh publik, është liruar nga burgu kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj.

Kundërshtimi ndaj zhvatjes që ka filluar pushteti nuk ndalet. Përndjekja e pushtetit ndaj opozitës nuk e ndal kritikën e aksionin. Së bashku mund të krijojmë të renë demokratike si kundërpërgjigje ndaj autoritarizmit të Kurtit”, shkroi ajo në Facebook.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar dje gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Disa orë pas arrestimit të aktivistëve të PSD-së, Qeveria ishte shprehur e shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë aksionit të PSD-së.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është suspenduar komandanti i operacionit policor gjatë arrestimit të aktivistëve të PSD-së.

Siç njofton IPK, ndaj të njëjtit është iniciuar edhe procedura administrative për përgjegjësi komanduese.