Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Lirohen nga akuzat ish drejtori dhe tre inspektor të Urbanizmit në Gjilan

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Valon Shefkiu dhe ish inspektorët Merita Cana – Shabani, Shkëndije Mahmuti – Hajdini dhe Baki Azemi janë liruar nga akuza e Prokurorisë e cila i ngarkonte me akuzën se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Kjo çështje është kthyer tri herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe për herë të katërt përfundoi me lirimin e tyre.

Prokurori Isuf Sadiku, në fjalën përfundimtare kishte kërkuar nga Gjykata që të akuzuari të shpallen fajtor dhe të dënohen me një dënim të paraparë me ligj. Kurse të akuzuarit dhe avokatët e tyre, në fjalët përfundimtare, e patën kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar nga Gjykata që të lirohen nga akuza e të shpallen të pa fajshëm.

Sipas Prokurorisë, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014, në Gjilan nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Ish drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu deklarohet rreth fajësisë