Shpallja e aktgjykimit ndaj dy të akuzuarve për vrasjen në restorantin "Shega"

Lirohen nga akuza babë e bir lidhur me vrasjen në restorantin "Shega"

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në lidhje me vrasjen që kishte ndodhur me 2 maj të vitit 2014 në restorantin “Shega”, ku ishin vrarë Nazim Gërvalla e Lutfi Saraçi.

 

 

Besim Dhe Besart Istrefi janë liruar  nga akuza, për vrasje të rëndë në tentativë.

Kurse Besart Istrefi  është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me 5 vjet burg.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili i cili bëri shpalljen e aktgjykimit tha se të akuzuarit lirohen nga akuza për shkak se veprën e kanë kryer në mbrojtje të nevojshme.

Kurse Jeton Saraçi është liruar nga akuza për tentimvrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Kujtojmë se Saraçi është akuzuar edhe për veprën penale falsifikim të dokumenteve, mirëpo për këtë vepër ka arritur parashkrimi.

Në tetor të vitit 2018, Gjykata e kishte dënuar Besim Istrefin me 7 vjet burgim ndërsa Besart Istrefin me 5 vjet e katër muaj.

Kurse Jeton Saraçi ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me këtë vendim mbrojtësit e të akuzuarve që ishin dënuar si dhe Prokurori i Shtetit kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit pas vlerësimit të lëndës gjeti se vendimi i marrë është në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe ky rast u kthy në rigjykim.

Në ngjarjen tragjike që kishte ndodhur me 2 maj të vitit 2014 në restorantin “Shega” ishin vrarë Nazim Gërvalla e Lutfi Saraçi.

Të plagosur të asaj ngjarje kishin mbetur edhe babë e bir, Besim dhe Besart Istrefi, të cilët rreth një viti më vonë u akuzuan nga Prokuroria në lidhje me atë rast.

Besim Istrefi u akuzua për vrasje ndërsa Besart Istrefi për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast u akuzua edhe Jeton Saraçi për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës ngjarja tragjike kishte ndodhur pasi Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla kanë filluar me kërcënime e tone të larta ndaj kamerierëve të cilët kishin filluar mbylljen e restorantit.

Aktakuza përshkruan se pas këtyre kërcënimeve kishte filluar konflikti në mes tyre dhe Besim e Besart Istrefit, konflikt pas së cilit ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosjet.

Shtyhet seanca në rastin e vrasjes në restorantin “Shega”