Lirohen katër personat që u arrestuan pas zhvillimeve në Lagjen e Boshnjakëve, njërit i hapet rast në Polici

Katër persona të nacionalitetit shqiptar janë liruar më 01.11.2024 pas intervisitimit në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë- Veri, lidhur me zhvillimet mbëmjen e së enjtes – 31.10.2024, në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut. Ndërkaq për njërin prej tyre, Policia ka hapur rast pasi dyshohet për “shtytje në vepër penale” dhe “asgjësim apo dëm i pasurisë”.

KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes, kur disa qytetarë u mblodhën më 31.10.2024, afër pllakës përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e Boshnjakëve.

Ata u mblodhën në shenjë revolte ndaj vendosjes në pllakë të parullave në serbisht me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt” që u vendosen gjatë ditës në qytet.

Nga katër personat që janë liruar, djali i dëshmorit Avni Hajredini, Donik Hajredini dyshohet për veprat penale “shtytje në vepër penale” dhe “asgjësim apo dëm i pasurisë”.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani më 01.11.2024.

“Të gjithë janë liruar. Njëri prej tyre është i dyshimtë për rastin. Ky është shqiptar, është djali i dëshmorit. Emri i personit të dyshimtë është Donik Hajredini, 1998. Ky është i dyshimtë për shtytje në vepër penale dhe asgjësim apo dëm i pasurisë”- tha ai.

Donik Hajredini, në një prononcim më 31.10.2024 për KALLXO.com tha se qytetarët shqiptarë i larguan posterët nga pllaka përkujtimore.

“Qytetarët kanë kalu kësajde, disa qytetarë e kanë largu posterin, i cili ka qenë i vendosur mbi emblemë të Policisë së Kosovës. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo, i kanë gjujtë polikolor, e kanë thy me çekiq”- tha ai.

Lidhur me rastin ishte  deklaruar edhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Rajonit Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani më 31.10.2024. “Ka pasur një stikers që është vendos fillimisht në një përmendore aty afër. Një masë e njerëzve (prej rreth 10 personave) është mbledhur  dhe kemi dy vetura që u janë shpërthyer gomat me mjete të mprehta, nga një gomë në secilën veturë, dhe tash Policia po e heton këtë rast” – tha Elshani.

Disa parulla me mbishkrimin  “Mos u frikëso! Qyteti yt” janë shfaqur përgjatë sheshit  “Car Llazari” në Mitrovicë të Veriut më 31.10.2024.

Lidhur me këto parulla është deklaruar politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, i cili tha se ai dhe njerëzit e tij nuk e kanë vendosur afishen në pllakën përkujtimore dhe se ai e dënon ashpër një veprim të tillë.

“Ne nuk mund të jemi përgjegjës nëse dikush e ka ngjitur atë afishe në monument. Në nivel parimor, unë dënoj ashpër nëse dikush në të vërtetë e ngjit një afishe në monument. Për mua nuk është e pranueshme që kjo të bëhet në asnjë memorial, pavarësisht kujt është monumenti” – ka theksuar mes tjerash ai.

“Atyre u është thënë se nuk u lejohet t’i vendosin në shenjat e trafikut, reklama, monumentet dhe dollapët e dyqaneve, përveç nëse i lejon pronari” – tha Arsenijeviq në profilin e tij në Facebook.

Zhvillimet në Lagjen e Boshnjakëve te pllaka përkujtimore e Avni Hajredinit, deklarohet Policia