Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liridona Sijarina: Ngacmimi seksual është vepër kriminale

Jo vetëm për një fjalë goje, por edhe për një shikim, mund të përfundosh prapa grilave.

Kështu ka thënë Liridona Sijarina, aktiviste nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ajo ka thënë se kjo çështje është e rregulluar me ligj ndërsa tha se vajzat dhe gratë në Kosovë më së shumti përballen me formën e ngacmimit seksual përmes shikimeve.

“Shërbyesit civilë nuk e dinë çfarë është ngacmimi seksual edhe nëse ndodh ngacmimi seksual, ku duhet me raportu, e aq më pak, tashmë që ngacmimi seksual është vepër kriminale, edhe për me këqyr dikë mund të hyshë në burg. Sipas Kodit Penal të Kosovës, mënyra se si personat e caktuar mund t’i shohin personat e tjerë, pra shikimet që kanë një konotacion seksual, ajo është ngacmim seksual edhe po e them se shikimet me të cilat ballafaqohen vajzat dhe gratë, janë format më të shpeshta që ato ballafaqohen dhe është mënyrë e ngacmimit seksual”, deklaroi ajo në “Kallxo Përnime”.

Ajo ka adresuar kritika ndaj institucioneve që zbatojnë ligjin e të cilat merren me mbrojtje nga ngacmimet seksuale.

“Zyrtarët që duhet me u marrë me mbrojtjen nga ngacmimet seksuale, nuk janë të trajnuar me ditë se çfarë është ngacmimi seksual dhe si duhet me u procedu. Është obligim shtetëror edhe obligim institucional me marrë masa me trajnu popullatën, sidomos ata që paguhen me taksat tona. Ngacmimi seksual është punë e policisë e edhe e prokurorisë…”, tha ajo.