Suspendohen 3 punëtorë të Qendrës Mjekësore në Janjevë, nuk respektuan gjendjen emergjente

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se me vendim të Drejtoreshës së Shëndetësisë, Merita Bytyqi janë suspenduar nga puna tre punëtorë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Janjevë, një mjek, një infermiere dhe një pastruese.

Ky suspendim është bërë për shkak të mos respektimit të orarit të punës dhe mos përfilljes së situatës emergjente të shëndetit publik të shpallur nga Qeveria Kosovës dhe përkundër faktit se janë dërguar vërejtje të shumta nga menaxhmenti i QKMF-së në Lipjan.

“Të njëjtit nuk kanë përfillur situatën dhe kanë sabotuar situatën dhe detyrat e punës”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Në vendim thuhet se të tre janë suspenduar përkohësisht deri sa të merret vendimi nga ana e Komisionit disiplinor.