Qyteti i Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Lipjan, sfida për shfrytëzimin e plotë të hapësirës së re të tregut javor

Disa prej tregtarëve të komunës së Lipjanit, kanë nisur që produktet e tyre t’i shesin në hapësirën e re të tregut që është ndërtuar para më shumë se një viti në periferi të qytetit.

Në qendër të Lipjanit, aty ku më herët ka qenë i lokalizuar tregu javor që mbahej ditëve të hëna, tashmë po shfrytëzohet nga prodhuesit vendor për të shitur produkte ushqimore.

Megjithëkëtë, KALLXO.com mëson se në kohën e tregut me raste po shfrytëzohen edhe trotuaret e qytetit.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit Rasim Hasani, tha për KALLXO.com se tregu është veçse i spostuar dhe sipas tij “nuk është më treg trotuari”.

“Tash është veç punë e Policisë dhe inspektorëve sepse treg në trotuar nuk ka ligjërisht, nuk ka pasur as më herët. Tregu është i riu, atje i plotëson të gjitha kushtet për punë. Hapësira e re sa shfrytëzohet nuk e di, por po shfrytëzohet”, tha ai.

Sipas drejtorit, pjesa e tregut të vjetër, si hapësirë mund të përdoret vetëm për prodhuesit vendor, “do të thotë këto prodhimet bujqësore jo për diçka tjetër. Mund të përdoret. Nëse keqpërdoret nuk jemi ne përgjegjës”.

“Tregu i gjelbër” në Lipjan më 2019, Foto: Komuna e Lipjanit

Hasani tutje ka shtuar se komuna nuk i menaxhon tregjet pasi sipas tij, janë kompanitë që e bëjnë këtë.

“Nëse ka ndonjë lëshim, është vetëm puna e inspektorëve”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Në gusht të vitit 2020, KALLXO.com ka raportuar se ndër problemet e para që vëreheshin në Lipjan kanë qenë hapësirat e tregut javor që mbahej çdo të hënë edhe në trotuaret e qytetit.

Përveç qarkullimit për banorët, shqetësues për shëndetin ka qenë fakti që produktet e tregut i ekspozoheshin diellit, pluhurit të rrugës dhe ajrit të ndotur nga lëvizja e automjeteve.

Komuna e Lipjanit i ka dedikuar një hapësirë tregut të ri, i quajtur “Tregu i gjelbër” që gjendet pak kilometra larg qytetit.