Lipjan, qytetari gjen bomba e uniforma të ushtrisë serbe gjatë rrënimit të shtëpisë

Gjatë rrënimit të një shtëpie të vjetër, një qytetar nga Lipjani kishte gjetur uniforma të ushtrisë serbe si dhe granata dore.

Rastin qytetari e kishte raportuar në Polici, e cila kishte ftuar njësitin e KFOR-it dhe FSK-së.

Në vendin e ngjarjes ishin gjetur dy granata dore.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i KFOR-it dhe FSK-së, të cilët kanë larguar mjetet pa ndonjë incident.

Ngjarja ka ndodhur më 15 qershor.

Policia nuk ka treguar nëse lidhur me rastin është ndaluar ndonjë i dyshuar.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se ngjarja ka ndodhur në fshatin Suhodoll të Lipjanit.

Sipas tij, shtëpia ku janë gjetur uniformat dhe granatat e dorës ka qenë e një pjesëtari të forcave serbe, i angazhuar gjatë luftës në Kosovë, dhe se shtëpia ishte blerë nga një shqiptar.

Këto janë uniformat, granatat e dorës e pajisjet e tjera ushtarake të gjetura gjatë rrënimit të shtëpisë në fjalë.