Lipjan, përfituesit e subvencioneve nuk ofruan dëshmi për mbi 12 mijë euro

Përfituesi i subvencionit KF “Arbëria” nga Dobraja e Madhe në vlerë prej 19,970 euro dhe KF “Ulpiana” në Lipjan 15 mijë euro, kishin sjellë raportet brenda afatit ligjor, por kishte mungesë të dëshmive/faturave për shpenzimet e raportuara.

Kështu thuhet në raportin e auditimit të Komunës së Lipjanit, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

“Te përfituesi i parë, vlera prej 5,545 euro nuk është e mbuluar me fatura, ndërsa te përfituesi i dytë, mungonin faturat për vlerën e paguar prej 6,834 euro”, thuhet në raport.

Nga ana e Komunës është thënë se zyrtari përgjegjës për monitorimin e zbatimit të kontratave të klubeve sportive përfituese të subvencioneve për vitin 2020, për arsye mjekësore , nuk ka qenë në nivelin e kryerjes së detyrës.

Në raportin e ZKA-së theksohet se sipas kontratës me përfituesin e subvencionit, përfituesi duhet të raportojË në drejtorinë përkatëse në komunë, duke sjellë dokumentacionin sipas projektit të paraqitur në formularët e aplikacionit si vijon: raport narrativ, raportin financiar për mjete e shpenzuara dhe kopjen e faturave.

Auditori po ashtu ka gjetur se Komuna e Lipjanit kishte shpenzuar buxhetin e ndarë nga qeveria për situatën me COVID-19 në obligime tjera.

Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Lipjanit e gjeni këtu.