Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në Gadime të Lipjanit, Foto: Arsimi i hershëm ndriçim i së ardhmes/Facebook

Lipjan, mbyllet një Qendër për Fëmijët e Komunitetit Ashkali për shkak të mungesës së fondeve

Organizata joqeveritare ‘Arsimi i Hershëm Ndriçim i së Ardhmes’ ka njoftuar se është detyruar të mbyllet Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në fshatin Gadime të Lipjanit për shkak të mungesës së fondeve.

Sipas organizatës joqeveritare, Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali ka operuar për një vit të plotë dhe ka ofruar ndihmë për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç në arsimimin e tyre joformal, përgatitjen për parashkollor dhe klasën e parë.

“Gjatë funksionimit të saj, qendra ka ndihmuar në zhvillimin e aftësive sociale të këtyre fëmijëve dhe ka krijuar një mjedis të sigurt ku ata mund të kalojnë kohën, duke i larguar nga rreziku i kalimit të kohës në rrugë”– thuhet në njoftimin e Organizatës, më 20.01.2025.

Arlinda Krasniqi themeluese e OJQ ‘Arsimi i Hershëm Ndriçim i së Ardhmes’ përmes telefonit ka thënë për KALLXO.com se Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në Gadime është hapur nga OJQ ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në Kosovë’ (VoRAE).

Sipas Krasniqit, Qendra është mbështetur financiarisht për gjashtë muaj nga VoRAE, pastaj për një kohë nga OJQ “The Ideas Partnership UK” në Angli dhe nga një biznes në Kosovë.

“Ata (VoRAE) janë themeluesit e saj (Qendrës për Fëmijët e Komunitetit Ashkali), unë jam veç si udhëheqëse… Ata janë kanë iniciatorë për me hap, ata i kanë furnizu me krejt ato pajisjet e mësimit edhe gjashtë muaj ata e kanë sponsorizu pagesën”- ka thënë Krasniqi.

Përveç mësimit të disa numrave dhe shkronjave, Krasniqi tha se fëmijët e komuniteteve ashkali i kanë dërguar edhe në vizita, ekskurzione. Sa i përket stafit që ka punuar në Qendër, Krasniqi tha se ka punuar bashkë me një mësimdhënëse.

“Fëmijët po dojnë me ardhë në shkollë, unë iu thash – me gjithë qef edhe neve na ka marrë malli për fëmijë e me majt mësim, po për shkak që nuk kena pare për me mirëmbajtë për Qendrën e për krejt, nëse lajmërohet ndonjë donator mujna me rihapë, për çdo rast ju njoftojmë” – i ka thënë Krasniqi një prindi të fëmijëve të komunitetit ashkali në Gadime. 

Krasniqi vlerëson se Qendra i ka motivuar fëmijët e komuniteteve ashkali për shkollim të mëtutjeshëm. Ajo ka treguar se 35 fëmijë të komunitetit ashkali kanë qenë pjesë e Qendrës në Gadime.

“Po, prej aty d.m.th 17 nxënës janë shku atje në shkollë, për shkak që këta edhe që e braktisin shkollën, kjo kogja u kanë njëfar shtytje për me vazhdu shkollën”- ka treguar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se i kanë kërkuar Komunës së Lipjanit që Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në Gadime të jetë Qendër Komunale, por sipas saj, nuk kanë pranuar.

“Komuna (e Lipjanit) na kanë thanë – nuk mujna komunale, për shkak që është një (Qendër mësimi) atje te shkolla “Zenel Hajdini”, ajo është me pagesë. Këta komuniteti (ashkali) nuk kanë mundësi me ba pagesë edhe kështu është mbetë pezull”- tha Krasniqi.

Ambienti ku ndodhet Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali është e pa izoluar dhe kushtet në të nuk kanë qenë të mira, por kanë vazhduar të punojnë, sipas Krasniqit.

Për komunarët e Lipjanit, Krasniqi tha se nuk e kanë vizituar asnjëherë Qendrën, përveç nënkryetarit për komunitete në Lipjan, Lulzim Qerimi.

Qerimi në një bisedë për KALLXO.com tha se nuk ishte në dijeni se është mbyllur Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në Gadime.

Qerimi e ka pohuar se e ka vizituar disa herë Qendrën në Gadime dhe se gojarisht kanë biseduar për ta shndërruar atë në një qendër komunale. Ai madje tha se Komuna e Lipjanit ka ndihmuar në ndërtimin e Qendrës.

“Gojarisht e kam fjalën, kemi bisedu, mirëpo për me ba në kuadër të Komunës mas pari Ministria e Arsimit duhet me na lëshu buxhet edhe janë do procedura për punëtorë…”- ka thënë Qerimi.

“VoRAE dhe Komuna e Lipjanit jemi kanë në donacion të përbashkët edhe e kemi ndërtu këtë objekt, 20 mijë euro ka qenë”- ka shtuar Qerimi.

Megjithatë, Qerimi nuk e ka pranuar se është mbyllur Qendra në Gadime. Qerimi tha se do të interesohet nëse kanë ndonjë projekt të gatshëm dhe nëse kanë aplikuar në ndonjë organizatë për ta vazhduar funksionimin e Qendrës për Fëmijët e Komunitetit Ashkali.

“Iniciator për me hapë atë Qendër, për me ndërtu, kam qenë unë. Edhe tash po më befason, m’ia dhanë një term – u mbyllë ajo. Nuk u mbyll, u mbyll ndoshta projekti i asaj organizatës, po nuk u mbyll Qendra. Qendra është nën menaxhimin e VoRAE-së”- tha Qerimi.

Ndërsa, Elizabeth Gowing, e cila është edhe anëtare bordit në OJQ “The Ideas Partnership UK” në Angli, e ka pohuar se e ka mbështetur Qendrën për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në Gadime. Gowing po ashtu e ka parë edhe njofitmin se është mbyllur kjo Qendër. 

Pasi e ka parë njoftimin për mbylljen e Qendrës, Gowing tha se e ka pyetur OJQ-në VoRAE se pse nuk kanë vazhduar ta mbështesin Qendrën dhe u ka kërkuar një takim.

“Më është përgjigj sot, me thanë që u ka ardhë edhe si befasi për ta (mbyllja e Qendrës). Besoj që, ka thënë, që do të rishqyrtojmë si mund të ndihmojnë”- ka thënë Gowing.

Gowing tha se e ka ndihmuar Qendrën në Gadime përmes një fondacioni në Angli, me një vlerë prej 1,000 euro si pjesë e fondeve.

Gowing tha se ka provuar t’i ndihmojë edhe si këshilltare e kryeministrit Kurti për çështje të komuniteteve, po ashtu duke qenë edhe pjesë e panelit që i shqyrtojnë aplikimet nga komunat për ndihmën për projektet multietnike me fonde nga UNMIK që i dhurojnë përmes një organizate.

Gowing tha se Komuna e Lipjanit kishte paraqitë kërkesë për mbështetje për këtë Qendër, dhe sipas saj, organizata joqeveritare nga fondet e UNIMK ka ndarë një fond për rrethimin e oborrit, hapësirës ku ndodhet Qendra.

Sipas Gowing, vetëm 9% e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian vijojnë mësim parashkollor në Kosovë. Ajo vlerëson se Qendra për Fëmijët e Komunitetit Ashkali në Gadime të Lipjanit ka qenë një mundësi shumë e mirë dhe se është vlerësuar nga prindërit e fëmijëve.

KALLXO.com e ka pyetur edhe OJQ VoRAE për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

(Artikulli është edituar në pjesën te deklarata e Arlinda Krasniqit ku flet për mbështetësit e Qendrës. Koha e editimit: 21.01.2025, ora 17:20)