Lipjan - Gjendja pas vërshimeve, flet kryetari Ahmeti

Fshati Konjuh në komunën e Lipjanit gjatë ditës së djeshme ka qenë një nga fshatrat më të prekura nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut e të borës të cilat ndodhën ditëve të fundit.

Gjatë ditës së djeshme një pjesë e madhe e fshatit ka qenë e përmbytur dhe me rrugë vështirë të kalueshme pasi që lumi i cili kalon përmes këtij fshati kishte dalë jashtë shtratit.

Oborre të shtëpive, lokale, automjete kanë qenë të bllokuara gjatë ditës së djeshme si pasojë e vërshimeve.

Gjatë ditës së sotme, anipse janë shkaktuar dëme në toka bujqësore e private, gjendja në fshatin Konjuh është zbutur.

Ekipi i KALLXO.com i cili gjendet në atë fshat ka raportuar se lumi është qetësuar dhe është rikthyer në shtrat ndërsa rrugët janë pastruar dhe tani janë të kalueshme.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, në lidhje me gjendjen në fshatin Konjuh.

“Gjendja sot është më e qetë, është larguar uji, nuk ka pasur evakuime të ndonjë familje, të gjithë janë nëpër shtëpi të tyre. Rrugët janë të kalueshme sepse është qetësuar gjendja dhe lumi Konjuh ka hyrë në shtratin e tij, anipse dje ka qenë shumë e vështirë që të kalohet në ato rrugë për shkak të vërshimeve të shumta”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Në lidhje me gjendjen e rëndë e cila ishte gjatë ditës së djeshme në fshatin Konjuh ka raportuar edhe KALLXO.com.