Foto: Fatmir Limaj/ Facebook
Limaj: Zgjedhjet janë më shumë se të jashtëzakonshme për atë se çfarë po na pret si shtet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se në vazhdën e takimeve mobilizuese me strukturat e tyre për zgjedhjet e parakohshme në vend, sot me bashkëpunëtorë ka takuar socialdemokratët në Han të Elezit dhe Kaçanik.
Limaj ka shkruar në Facebook se me strukturat e tyre drejtuese në këto dy komuna, janë dakorduar për një mobilizim sa më të madh “në mënyrë që NISMA të dalë sa më e fuqishme nga ky proces i parakohshëm zgjedhor”
“Sot është jetike për Kosovën, që gjeneratat e reja të arrijnë t’i njohin mirë e kuptojnë drejt ata të cilët mendojnë t’i mbështesin. Qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se, zgjedhjet që po vijnë nuk janë zgjedhje të jashtëzakonshme, vetëm në aspektin ligjor, por janë më shumë se të jashtëzakonshme, për atë se çfarë po na pret si shtet”, ka shkruar Limaj.
Zhvillimet Limaj i ka cilësuar si moment historik.
“Prandaj, është moment historik që djem e vajza nga e gjithë Kosova, që e kanë në zemër atdheun, të ngritën në këmbë dhe për asnjë çmim të mos lejojmë që vlerat dhe themelet tona kombëtare të shkatërrohen”, ka shtuar ai.
Nisma së fundi ka deklaruar se janë në bisedime me PDK-në për një koalicion të mundshëm.
Pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshme Qeverinë Hoti, Kosova në fillim të vitit të ardhshëm pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.