Limaj shpalos pikat programore për zgjedhjet e 6 tetorit

Nisma Socialdemokrate sot ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Kombëtar, anëtarët e të cilit kanë miratuar sloganin e partisë “BASHKË PËR SHTETIN”, pikat programore për zgjedhjet e 6 tetorit, deklaratën politike si dhe janë miratuar në parim kandidatët për deputetë të propozuar nga degët.

Sipas një komunikate për media, kryetari i Këshillit, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mobilizim të madh për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kurse, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka shpalosur disa nga objektivat e subjektit të tij për qeverinë e ardhshme.

“Ai ka përmendur, dialogun me fqinjët, politikën e jashtme, liberalizimin e vizave, investimet në bujqësi, si dhe vazhdimin e fuqizimit të prodhuesve vendor dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Po ashtu ai ka përmendur edhe paketën sociale dhe reformën pensionale, si dhe është zotuar për angazhim të madh në mënyrë që të ndryshohet qasja për diasporën. Kryetari Limaj, tha se prioritet do të jetë shëndetësia dhe arsimi”, thuhet në komunikatë.

Limaj ka përmendur edhe reformën në drejtësi si pikë programore të Nismës në këto zgjedhje.

Të pranishmëve me nga një fjalë rasti i janë drejtuar edhe Sekretari i Përgjithshëm, Bilall Sherifi dhe sekretari organizativ Enver Hoti.

Sekretari Sherifi tha se Nisma është garanci që vendi nuk do të përjetojë asnjë bllokadë pas zgjedhjeve. Duhet të punojmë çdo orë deri më 6 tetor, në mënyrë që t’u tregojmë qytetarëve se pse duhet mbështetur vizionin tonë socialdemokrat.

Edhe sekretari organizativ i Nismës, Enver Hoti ka kërkuar mobilizim të strukturave drejt fitores së Nismës për zgjedhjet e 6 tetorit.