Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Limaj reagon pasi partia e tij nuk u certifikua si subjekt politik nga KQZ-ja

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar pasi që partia e tij nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Sonte ne kemi qenë dëshmitar të një sulmi të paprecedent në partinë tonë dhe në të gjithë procesin demokratik. KQZ-ja ka vendosur që të mos çertifikojë disa parti politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Është e qartë që ka një interes të madh që NISMA të mos jetë pjesë e parlamentit, që parlamenti i Kosovës të mos e ketë brenda një zë të qartë të UÇK-së”, ka shkruar Limaj.

Ai tutje ka shkruar se më këtë vendim, PDK dhe LDK dëshirojnë që të heshtin zërin e vlerave kombëtare dhe të trashigimisë së UÇK-së në institucionet vendim-marrëse në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Sonte KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv. Përderisa deri më tani gjithmonë, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar vendimet e zyreve profesionale siç ishte në këtë rast Zyra për Certifikim, kësaj radhe duke shpërfillë krejtësisht vendimin profesional të zyrës për çertifikim, ata vendosën që të mos e çertifikojnë NISMA Socialdemokrate”, thuhet në postimin e Limajt.

Sipas tij, në raport me NISMEN Socialdemokrate kjo nuk është hera e parë që ju bëhet padrejtësi.

“Në zgjedhjet e vitit 2019, zyra për pranimin e votave të ardhura nga Serbia në mënyrë ilegale, kishte rekomanduar në kundërshtim me ligjin pranimin e këtyre votave, në këtë rast KQZ kishte refuzuar të marrë vendim kundër këtyre votave sepse argumenti i tyre ishte se ka ardhur rekomandimi nga zyra profesionale. Siç, e din opinioni të gjitha këto beteja ligjore NISMA Socialdemokrate i ka fituar, edhe kësaj radhe jemi të sigurt se në hapat e ardhshëm legal do të triumfojmë”, ka shkruar Limaj.

Këshilli Qendror i Zgjedhjeve pak më parë votoi për partitë dhe listat e kandidatëve për deputetë të cilat do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Lista Serbe arritën të certifikohen në bazë të votave të marrura nga antarët e KQZ-së.

Përveç këtyre tre partive KQZ certifikoi edhe partitë e komuniteteve joshumicë në vend, Partia Balliste, Lista SDU, Partia Demokratike e Ashkalinjëve, Lëvizja për Bashkëveprim dhe Lista IRDK janë certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mirëpo procesin e certifikimit nuk arritën të tejkalojnë Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nisma Socialdemokrate.

Ibrahim Selmonaj, përfaqësues i AAK-së në KQZ, reagoi pasi partia e tij nuk arriti të certifikohet.

Ai tha se do të ankohen dhe do të bëhen pjesë e zgjedhjeve.

“AAK do të ankohet dhe do te jemi pjesë e zgjedhjeve”, tha Selmonaj.

Reagim pati edhe Eshref Vishi nga Nisma socialdemokrate, i cili tha se partia e tij do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në PZAP.

“Nisma do t’i shfrytezojë të drejtat e ankesës dhe jemi të bindur se PZAP dhe Gjykata Supreme do të marrin vendim të drejta. Ne besojmë dhe shpresojmë që do të jemi pjesë e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, potencoi ai.

Ndërsa, Sami Kurtishi përfaqësues i LVV-së në KQZ tha se do të përdorin të gjitha rrugët ligjore.

Kujtojmë se partitë politike kanë të drejtë ankese në PZAP brenda 24 orëve.

Cilat parti e lista kaluan certifikimin në KQZ e cilat jo?