Limaj: Premtimet e liderëve tjerë partiakë për ekonominë, janë pallavra

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka takuar sot qytetarët e Gjilanit, të cilëve u ka bërë thirrje që të kenë kujdes në duar të kujt e lënë vendin. Ai tha se Kosova sot është në një udhëkryq të madh dhe duhet të tregohet kujdes.

Limaj u shpreh se premtimet e liderëve partiakë për ekonominë janë pallavra, derisa tha se qeveria e ardhshme do të krijohet për dialogun me Serbinë.

“Kosova është në një udhëkryq të madh, kujdes mos e lini Kosovën në duar të pasigurta, kujdes mos e lini Kosovën në duart e njerëzve të cilët rrugës kanë treguar jo qëndrueshmëri, jo devotshmëri. Kujdes mos e lini Kosovën në duart e atyre të cilët e lënë Kosovën vet dhe ikin prej saj. E ju do ta shihini në dy vitet e ardhshme, tri qeveri janë rrëzuar për shkak të dialogut, krejt çka ju flasin për ekonomi janë pallavra dhe qeveria që do të krijohet është për dialog, si mundësi për t’i hapur perspektivë vendit”, tha Limaj.

Bartësi i Listës së Nismës u ka kërkuar qytetarëve të Gjilanit që para se të votojnë të gjykojnë kandidatët të cilët janë për kryeministër, të kaluarën e tyre dhe çka kanë bërë ata për Kosovën.

Ai tha se qytetarët duhet të votojnë atë subjekt politik që ju jep më shumë siguri se e mbron zërin e interesin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Besimi ndërtohet ndër vite me përpjekje, me angazhim dhe me sprovë. Besimi është siguri dhe juve të nderuar anamoravas, ju ftoj që kur të votoni ta keni parasysh këtë, ku e ndjeni vetën më të sigurt dhe ku besoni se në momentet më të vështira, më të rënda e çfarëdo qofshin ato në parlament, kush mbron zërin e juaj dhe interesin e Kosovës. Ftesa ime është që kjo analizë t’i shërbejë para se të votohet, sidomos në pesë drejtuesit tanë, pesë subjektet, na gjykoni shumë ashpër ne që i drejtojmë listat e jo kandidatët. Në mënyrë të veçantë ne të pestit që drejtojmë ekipet tona, neve gjykonani para se të na votoni, kush jemi ne, kush është Avdullahu, Fatmiri, Ramushi, Albini, Enveri. Duke na gjykuar shumë ashpër neve jam i sigurt që nxirrni një ekip të mirë në Parlament, gjykoni të kaluarën tonë, shikoni kush jemi ne”, tha ai.

Limaj ftoi qytetarët të mos gjykojnë nga premtimet, por nga punët që kanë bërë gjatë këtyre viteve.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për Nismën Socialdemokrate, në mënyrë që zëri i çlirimtarëve të jetë në Kuvendin e Kosovës.

“Ftojmë që zëri çlirimtar të jetë në Parlamentin e Kosovës si zë i fuqishëm për të mos lejuar e devijuar rrugëtimin tonë në shtet-ndërtim. Fryma me çlirimtarët i shkon çdo pjese të Kosovës, djemtë dhe vajzat e Anamoravës me dekada e kanë çuar frymën çlirimtare anë e kënd Kosovës”, tha ai.