Limaj: Nuk është e domosdoshme që çdo i ri të kryejë fakultet (VIDEO)

Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PSD, Fatmir Limaj, në debatin e Kongresit e Dytë të të Rinjve, tha se nuk është domosdoshme që çdo i ri në Kosovë të kryejë fakultet.

Limaj tha se të rinjtë përmes aftësimit profesional dhe shkollave profesionale, do të kriojnë bazën e ekonomisë së tregut, si fuqi punëtore, e cila do të ishte atraktive për ekonominë.

“Mendoj që tema kryesore është mbajtja e rinisë në Kosovë, dhënia e mundësisë që ata të fillojnë të ndërtojnë ëndrrat e tyre në vendin e tyre, duke e pasur mirëqenien apo duke pasur mundësi secili nga ta që të provojnë aftësitë e tyre, energjitë, në ndërtimin e jetës së tyre, duke u angazhuar në tregun e punës. Ne duam ta ndryshojmë atë mentalitetin e ashtuquajtur shkollë, që është keqkuptuar, nuk është e domosdoshme që çdo i ri Kosovës të kryejë fakultet”, tha Limaj.

Limaj në këtë debat foli për reforma në të gjitha institucionet e vendit, duke thënë se Kosova duhet të përgatitet për 50 vitet e ardhshme. Ai tha se duhet të krijohet një sistem që i përkrah të rinjtë.

“Ne duam të ndërtojmë një sistem që i riu nuk heq dorë dhe nuk dorëzohet, nuk dorëzohet në kërkimin e drejtës  së tij dhe mundësisë së tij. Të gjitha këto besoj që bëhen me një reformë në 3-4 sisteme, të shëndetësisë, drejtësisë. Aktualisht sistemi shtetëror është i ndërtuar pasluftës, e i përmisuar kohë pas kohe përmes ligjeve, rregulloreve e ndërtimit të institucioneve përkatëse”, tha Limaj.

Limaj gjithashtu tha se duhet një rishikim i thellë i sistemit dhe funksionimit të shtetit, që të shihet se çka ka pengesë e çka nuk po funksionon në Kosovë.

Në Kongresin e Dytë Kombëtar të të Rinjve kanë qenë të ftuar të gjithë kandidatët për kryeministër, mirëpo ftesën e kishin pranuar vetëm kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj.

Pjesë e kongresit kombëtar të të rinjve janë mbi 20 organizata nga gjithë Kosova.