Limaj në Mitrovicë: Kujdes kë votoni! Kemi kandidat për kryeministër dikë që gjenocidin e Serbisë e quan “përpjekje për gjenocid”

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se në Kosovë po tentohet të harrohet e kaluara e dhimbshme.

Limaj  gjatë tubimit të fushatës në Mitrovicë tha se sot në Kosovë po prezantohen oferta që nuk kanë të bëjnë me temat me të cilat përballet vendi.

“Tash e një kohë në Kosovë po tentohet të harrohet dhe të zbehet e vërteta jonë e madhe, po sulmohet nga kundërshtaret tonë. Ajo e vërtetë e cila i ka mundësuar këtij populli të jetë i lirë. E vërteta e Kosovës është dhimbje, vuajtje, sakrificë mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. Ne do ta kthejmë në epiqendër prapë këtë të vërtetë. Para 20 viteve në Kosovë ka qenë vetëm një temë; ajo e mbijetesës, sot pas 20 viteve jemi të lirë e të pavarur por me shumë telashe e sfida; sfida këto që reflektohen më së shumti në këtë qytet. Ende ka shenja të robërisë në këtë pjesë të Kosovës. Sot në Kosovë janë disa oferta dhe tema që nuk kanë të bëjnë me atë që po përballet Kosova. Sot vendi ynë është para një momenti historik për të përmbyllur pavarësinë e saj. Derisa Serbia ka kaluar në një ofensivë diplomatike duke ndërtuar mbi gënjeshtra të vërtetën e saj, për të pamundësuar zhvillimin tonë. Kurse ne në vend që të bashkohemi dëgjojmë oferta si të harroni të kaluarën”, ka thënë Limaj.

Ai tutje shtoi se në Kosovë kemi kandidat për kryeministër që gjenocidin e kryer e quan “tentim për gjenocid” dhe u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes për kë votojnë.

“Sot në Kosovë kemi dy rryma që mohojnë të kaluarën dhe rezultatet, keni kandidat për kryeministër që kërkon votën tuaj duke mohuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe duke e quajtur ‘përpjekje për gjenocid’. Kemi rrymën që mohon çdo arritje në Kosovë dhe konsiderojnë se drita në Kosovë ka ardhur vetëm pas fitores së tyre. Kujdes kujt po i besojmë të ardhmen! Nuk mund t’ia lini këtë dikujt që as familjen nuk e ka në Kosovë për të bashkëjetuar me ne. Sa herë Kosova ka vrapuar pas turmave kurrë mirë nuk i ka rënë, sa herë kemi nxituar pa menduar nuk ka pasur kurrë përfundim të mirë,” ka shtuar tutje Limaj.

I pari i Nismës Socialdemokrate theksoi se ndër veprimet e para për ta do të jenë: Ligji kundër mohimit të gjenocidit në Kosovë nga Serbia dhe padia në Gjykatën ndërkombëtare për krime ndaj Serbisë.