Limaj në Klinë: Kryeministri e ka humbur rrugën

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjatë një tubimi elektoral të mbajtur më 15.01.2025 në Klinë, deklaroi se Kosovës i duhet një kryeministër që i bashkon qytetarët e nuk harxhon energji në përçarje.

Sipas Limajt, kryeministri Albin Kurti “e ka humbur rrugën”.

“Kosovës i duhet një kryeministër që i bashkon qytetarët, shuan polarizimet, nuk harxhon energji kot në përplasje, në përçarje, në shpifje e mashtrime. Kryeministri jonë e ka humbur rrugën. E ka harruar punën që ia ka besuar qytetari i Kosovës. Në vend se ta ndërtojë vendin ai fuqishëm angazhohet me ta përçarë vendin”- u shpreh Limaj.

Ai ka thënë se më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për njerëz të pjekur, të ditur e për zëra racionalë.

E kandidati i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj, gjatë këtij tubimi ka thënë se ekzistojnë norma se si arrihet siguria e një shteti në mënyrë të përjetshme, duke thënë se formulë e sigurisë kolektive është bashkimi në NATO.

“Ne jemi popull, kemi të drejta, duam të zhvillohemi si popujt e tjerë. Nuk duam të jetojmë në improvizime. Unë e kam ditur këtë herët që kur janë bërë ligjet e ushtrisë”- është shprehur Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerët e saj të koalicionit, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30, dhe Lista Ideal më 15.01.2025 e kanë vazhduar fushatën politike në Grabanicë të Klinës.

Në zgjedhjet e shkurtit, dega e AAK-së në Klinë ka tre kandidatë në listë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj ka takuar sot të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën tha se diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në forcimin e partneritetit strategjik Kosovë-SHBA.

“Konfirmova edhe një herë qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Bashkëpunimi me SHBA-të mbetet thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e vendit tonë, ndërsa anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional është rruga më e mirë për ta arritur këtë objektiv”- ka thënë Haradinaj.

Ndërsa gjatë ditës, Haradinaj njoftoi se koalicionit i është bashkuar Veli Kryeziu, intelektual i shquar për kontributin e tij në fushën shkencore të historisë.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.