Limaj mblodhi partinë, diskutuan për mundësinë që të garojnë të vetëm në zgjedhje

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur sot një takim me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve, ku është diskutuar rreth përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme.

Ky subjekt politik ka njoftuar se kryetari Fatmir Limaj, ka kërkuar nga drejtuesit e degëve që të mobilizojnë dhe angazhojnë strukturat e Nismës anekënd vendit, në mënyrë të dalin sa më i fuqishëm nga ky proces i parakohshëm zgjedhor.

“Gjithashtu, kryetari Limaj, drejtuesve të degëve u ka thënë se, ruajtja dhe mbrojtja e vlerave tona kombëtare është vet programi ynë si Nismë, dhe në funksion të kësaj duhet që të gjithë të angazhohemi maksimalisht. NISMA Socialdemokrate është duke u angazhuar në teren që të garoj e vetme në këtë proces zgjedhor dhe zëri i saj të jetë edhe më i fuqishëm në parlament dhe çdo institucion ku udhëheq me të”, thuhet në postimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.

Më tej, bëhet e ditur se në këtë takim, anëtarët e kryesisë dhe drejtuesit e degëve të Nismës u dakorduan që në varësi të rrethanave të këtij procesi zgjedhor, të vendoset se si do të merr pjesë Nisma në këto zgjedhje, si e vetme apo në ndonjë koalicion parazgjedhor.

Gjykata Kushtetuese ka shkarkuar Qeverinë Hoti.

Në bazë të vendimit të GjK, vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh.