Limaj – Kurtit: T’u ka bë sëmundje Kadri Veseli

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në seancën e jashtëzakonshme për tarifën 100 për qind i ka thënë kryeministrit, Albin Kurti se e ka humbur mundësinë e negocimit me Serbinë.

Limaj i ka thënë Kurtit ta marrë udhëheqjen e dialogut, duke ia përmendur edhe presidentin, Hashim Thaçi.

“Ju keni hup mundësinë e negocimit. Mos i ik dialogut, mos ik i përgjegjësisë, Lej këto aktrime se nuk të ndihmojnë, nisu merre me temën që krejt bota rreth neve. Këtu të na thu, Hashim nuk bënë me udhëheq dialogun, unë këtu jam, po qu. Çka po pret, merre detyrën burrë, qu merre detyrën”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se Kurti ka ndryshuar qëndrim në lidhje me reciprocitetin, duke shtuar se partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë.

“Shohim një dallim mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe kjo më është bërë publike. Një qëndrim të ndryshëm të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit. Ne duhet me pas një qëndrim të qartë të Kurtit dhe të zotit Hotit se për ta pasur të qartë në fakt se cili është”, tha Limaj.

Limaj i ka thënë atij se edhe e ke dobësi liderin e opozitës, Kadri Veseli.

“70% e fjalimit tonë ka qenë për LDK-në, jo për neve, po dëshironi mi dërgu përsëri selame për kryetarin e LDK po qon prej parlamentit selame, e këqyreshe Kadrin se sëmundje e ki Kadrin, por në fakt e ke pas për LDK-në, i lexojmë na këto sene, keni probleme”, tha Limaj.

Pas kësaj, Kurti i ka thënë atij se e ka marrë detyrën, por nuk shkon me 12 burra në Bruksel.

“Ashtu nuk shkoj. Unë e marrë detyrën që ma ka dhënë populli i Kosovës, jo që ma jepë dikush tjetër”, ia ktheu Kurti.

“Po e pres kur të kthehet Presidenti e të diskutojmë hapur. Ai i ka disa qëndrime, unë i kam disa ide. Duhet të diskutojmë për politikën e jashtme. I kam shkruar edhe liderit të opozitës edhe kryetarit të AAK-së”, ka shtuar kryeministri.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj. Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që tarifa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.