Limaj i mbushi ndërmarrjet publike me militantë, kërkon të rishikohen disa

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare ka dalur me një qëndrim rreth numrit të agjencive dhe bordeve të ndërmarrjeve publike.

Limaj përmes një statusi në Facebook tha se numri i madh i tyre është ngarkesë për buxhetin e shtetit, duke kërkuar që të rishikohet organizimi dhe funksionimi i tyre.

“Si kandidat për kryeministër dhe si Nismë Socialdemokrate vlerësojmë se urgjentisht duhet rishikuar organizimin dhe funksionimin e tyre. Ne vlerësojmë se duhet bërë një fuzionim të këtyre agjencive të cilat janë barrë për buxhetin e vendit. Vizioni im si kryeministër i Kosovës është riorganizimi dhe bashkimi i këtyre agjencive të cilat më shumë i kanë sjellë dëme sesa dobi vendit. Po ashtu Kosova ka një numër të panevojshëm të bordeve në ndërmarrjet publike”, ka shkruar Limaj.

Ai tha se nëse fiton zgjedhjet do të angazhojë një grup ekspertësh që të bëjnë vlerësimin e këtyre agjencive dhe bordeve.

“NISMA në qeveri do të angazhojë një grup ekspertësh në mënyrë që të kemi rekomandime të bazuara, nëse të gjitha këto ndërmarrje vërtetë kanë nevojë për borde dhe nëse vendi ynë ka nevojë për kaq shumë agjenci”, tha Limaj.

Por, Limaj sa ishte në Qeverinë e koalicioni PAN kishte mbushur me militantë të partisë së tij ndërmarrjet publike dhe agjencionet, por edhe punësimet në ministri të udhëhequra nga ministrat e tij.

Së fundmi, në Bordin e Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina” është emëruar Ilir Rexhepi, që është aktivist i partisë së tij.

Madje ai u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare edhe për emërimin e ish-bashkëluftëtarit të tij në krye të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.

Partia e Limajt  kishte ‘uzurpuar’ edhe ministrië që i udhëhiqnin ministrat e tij.

Ish-kandidatja për asambliste në komunën e Prishtinës nga Nisma Socialdemokrate dhe anëtarja e forumit të gruas të kësaj partie, Valdete Prebreza është punësuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila udhëhiqej nga ministri atë kohë i Nismës  Shyqiri Bytyqi.

KALLXO.com kishte shkruar se anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate në Lipjan, Pajtim Kleçka ka gjetur një vend pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

KALLXO.com poashtu ka raportuar se Salih Bytyqi, vëllai i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka gjetur vend pune në shkollën e fshatit të tij të lindjes.

KALLXO.com ka raportuar se Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Fatmir Limaj pritet të marrë kontratë të rregullt me Universitetin e Prizrenit.

Në muajin qershor KALLXO.com raportoi se nipi i Jakup Krasniqit nga pozita e këshilltarit në MTI zgjedhet në pozitën e shërbyesit civil.

Në fund të muajit shkurt të këtij viti, KALLXO.com raportoi edhe për punësimin e kunatës së Fatmir Limajt, aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë në dorëheqje të Ramush Haradinajt dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për punësimin e Veron Selmanit, burri i vajzës së Fatmir Limajt. Ai është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA.

Partia Nisma Socialdemokrate rehatoi në ministrinë që udhëheq aktualisht Endrit Shala edhe nipin e Jakup Krasniqit, Taulantin.

 

Ish-Drejtori i Malishevës Emërohet Sekretar në Ministrinë e Drejtuar nga Nisma

.