Limaj: Enver Hoxhaj veç në filma të 'Rambos' e ka parë se çka është shpirti luftarak

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u është kundërpërgjigjur deklaratave të kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili gjatë një tubimi me simpatizantë në Malishevë u ka kërkuar “mos i votoni ata që nuk e kalojnë pragun”.

Limaj gjatë një tubimi në Malishevë ka thënë se Hoxhaj nuk e di se çfarë është një betejë politike e lëre më beteja ushtarake.

“Kam marrë selame dje nga Malisheva nga ata që kanë qenë dje. A e dini se cili është dallimi mes meje dhe Enverit. Enveri kurrë në jetë kurrgjë nuk ka kriju, krejt i ka marrë të gatshme. Dallimi mes meje e tij është se ai gjërat e mëdhaja i bën të vogla e unë i nisi të vogla e i bëj të mëdhaja. Enveri u mësu gjithë më i pasë të gatshme, edhe partinë e ka marrë ta gatshme, keni me e pa ku ka me e çu… Dallim tjetër është se ai nuk e di se çfarë është një betejë politike. Për këtë tjetrën s’po flasim. Enveri veç në filma të ‘Rambos’ e ka parë se çfarë është shpirti luftarak”, ka thënë ai.

Limaj tutje ka apeluar që të mos votohet Enver Hoxhaj, personi që sipas tij ka kërkuar azil politik në Beograd gjatë kohës së luftës.

“Mua nuk më ka ndal Serbia e po më ndal Enver Hoxhaj. Apeli im është që të mos e votoni Enver Hoxhajn. Dallimi në mes meje dhe tij është se unë kam qenë në mesin e popullit  ndërsa ata spektatorë. Hoxhaj në kohën e luftës bëntë thirrje nga Vjena se nëse UÇK-ja e fiton luftën, ai do të kërkonte azil politik në Beograd”, shtoi kreu i Nismës, Fatmir Limaj.