Limaj: Do vazhdojmë fuqishëm promovimin e kauzës tonë

Kryetari i Nismës Socialdemorkate Fatmir Limaj, ka thënë se pavarësisht rezultateve ata do vazhdojnë fuqishëm të promovojnë kauzën e tyre.

“Ne nuk do të ndalemi, do vazhdojmë të jemi zëdhënës i fuqishëm i atyre mijëra e mijëra votuesve, atyre qindra e qindra aktivistëve. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe janë mishëruar me kauzën tonë”, tha Limaj në konferencë për media, një ditë pas mbajtjës së zgjedhjeve në të cilat, sipas rezultateve preliminare të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Nisma e drejtuar nga Limaj, nuk ka arritur të kaloj pragun zgjedhor prej 5 për qind, e si rrjedhojë do mbetet jashtë përfaqësimit parlamentar.

Ai tha se do vazhdojnë të vëzhgojnë nga opozita punën e pozitës.

“Ne si opozitë do vazhdojmë t’i mbikëqyrim ata që populli ua ka dhënë rastin”, tha Limaj.

Deri më tani sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje figuron me 48.17 për qind, Partia Demokratike me 17.35 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.18 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind, Nisma Socialdemokrate 2.59 për qind.