Limaj akuzon KQZ-në për keqadministrim të zgjedhjeve

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për prishje të procesit zgjedhor në vend.

Limaj në një konferencë për media tha se problemet e KQZ-së kanë filluar qysh nga formularët e regjistrimit të votave.

“Dita e zgjedhjeve ishte një nga ditët më të mira që kur mbahen zgjedhjet në Kosovë, çdo gjë shkoi sipas ligjit dhe jo ndonjë problem.  Deri këtu sa ishte në dorën e qytetarëve të Kosovës çdo gjë shkoi në mënyrën më të mirë. Problemet filluan të shfaqen në momentin e administrimit të procesit të votimit, ku së pari u paraqitën defekte në formular që kishte defekte serioze dhe u krijuan probleme zinxhirore”, tha ai.

Ai shtoi se KQZ-ja bëri gabim edhe kur mori vendim që të rinumërohen 800 kuti.

“Për shkak të kësaj KQZ mori vendim që të rinumërojë 800 kuti, kërkesa jonë ishte që për shkak të gabimit të vetë KQZ-ja ne kërkuam që të bëhet rinumërimi i plotë dhe të futen në një formular të ri. KQZ në vend që të pranojë gabimin në tërësi ajo e pranoi pjesërisht, në vend që të zgjidhë problemin në tërësi, ajo e bëri pjesërisht”, tha i pari i Nismës Socialdemokrate.

Limaj tha se KQZ-ja ishte më e shqetësuar për integritetin e saj sesa për procesin zgjedhor.

“Procesin e ka përcjellë keqadministrimi, papërgjegjësia dhe standardet e dyfishta. Asnjëherë në Kosovë s’ka pasur administrim zgjedhor si është tani dhe KQZ si asnjëherë më parë i ka ikur përgjegjësisë kushtetuese për administrimin e drejtë në përputhje me Ligjin për zgjedhje duke i ikur detyrave”, tha Limaj.

Limaj theksoi se KQZ-ja nuk ka vendosur për numërimin e votave të ardhura nga Serbia, por njerëzit e paautorizuar.

“Për paketat serbe nuk është marrë vendim në KQZ por janë futur në numërim pa vendim të KQZ-së , kanë marrë vendim njerëzit e paautorizuar dhe ne me kohë do t’i denoncojmë gjithë shkelësit e ligjit, gjithë ata që e kanë shkatërruan integritetin e këtyre zgjedhjeve”, tha në fund Limaj.

Ai shtoi se KQZ-ja do të duhej të jepte dorëheqje për këtë situatë të krijuar.

“Kërkesa jonë ka qenë e vazhdueshme, rinumërimi i plotë për shkak të gabimit që e ka bërë vetë KQZ-ja dhe në një shoqëri normale KQZ-ja do të duhej të jepte dorëheqje për këtë gabim që ka bërë, sepse me defekte me dokumentacion ka fut mbi 900 milionë njerëz të votojnë, por kjo është përgjegjësi që do ta kërkojmë më vonë”, tha ish-zëvendëskryeministri i Kosovës.

Koalicioni Nisma-AKR-PD sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në zgjedhjet e 6 tetorit nuk e ka kaluar pragun, por anëtarët e kësaj partie vazhdojnë të deklarojnë se kjo parti ka marrë ulëse në Kuvend.

Sherifi: Koalicioni i Nismës Socialdemokrate ka arritur të bëhet pjesë e parlamentit

www.kallxo.com.