Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Likudimi i ish-RTP-së, AKP fton kreditorët e mundshëm të dorëzojnë dëshmitë deri më 15 mars

Pas fillimit të likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore “Radio Televizioni i Prishtinës”, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ftuar të gjithë ata që pretendojnë se kanë të drejtë kërkese dhe/apo interesi ndaj ndërmarrjes apo aseteve të kësaj ndërmarrje, të parashtrojnë dëshminë e kërkesës dhe dëshminë e interesit.

Afati për parashtrimin e kërkesave kreditore të të gjithë pretendetëve ka filluar më 29 janar 2021 dhe përfundon më 15 mars 2021, në orën 16:00.

“Ftoheni që të parashtroni Dëshminë e Kërkesës dhe Dëshminë e Interesit pavarësisht nëse më herët
mund ta keni informuar Agjencinë Kosovare të Privatizmit apo pararendësin e saj. Nëse nuk parashtroni Dëshminë e Kërkesës dhe Dëshminë e Interesit brenda afatit kohor të lartë cekur, pretendimet tuaja do të refuzohen si të papranueshme bazuar në nenin 35 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

AKP njofton se mosdorëzimi i dokumentacionit si mbështetje e kërkesës apo mosplotësimi i rregullt i formularëve gjithashtu do të rezultojë në refuzimin e pretendimeve.

“Formularët për Dëshminë e Kërkesës si dhe Dëshminë e Interesit mund të merren në të gjitha zyrat e
AKP-së dhe duhet të dorëzohen në Zyrën Rajonale të AKP-së çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në ora 14:00në adresën si më poshtë”, vazhdon njoftimi i AKP-së.

Në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit njofton se likuidimi i ndërmarrjes ka filluar më 18 janar 2021 në bazë të vendimit të 22 dhjetori 2020, të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në vitin 1973, Radio Prishtina është transferuar në Radio Televizionin e Prishtinës, më pas në vitin 1978, “Radiotelevizioni i Prishtinës” me përgjegjësi solidare të kufizuar të organizatave bazë: Radio Prishtina, Televizioni i Prishtinës dhe Produksioni Muzikor, në vitin 1989 ka ekzistuar si “OP Radio Televizioni i Prishtinës”; në vitin 1992, Radio Televizioni i Prishtinës ishte pjesë përbërëse e Radio Televizionit Publik të Serbisë kurse në vitin 2001 është shndërruar në NShIP “Radiotelevizioni i Prishtinës”.