Likaj: Së shpejti publikohet vendimi për fillimin e vitit shkollor

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj në takimin me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri kanë konfirmuar se po punohet që mësimi të fillojë në shkolla.

Ministri Likaj ka paralajmëruar se së shpejti do të bëhen publike vendimi dhe datën kur do të fillojë mësimi për vitin shkollor 2020/21.

“Presim së shpejti publikimin e vendimit dhe datën kur do të fillojë mësimi. Në këto kushte pandemie, jemi shumë të kënaqur me përgatitjet për fillimin e mësimit. Gjithashtu, kemi biseduar edhe për angazhimin e mësimdhënësve rezervë dhe studentëve të Fakultetit të Edukimit në procesin mësimor. Kemi tre skenarë të cilët janë në funksion në bazë të gjendjes me pandeminë, i fundit është ai për mësimin në distancë, por do të punohet që mësimi të mbahet në shkolla me masa mbrojtëse dhe kujdes maksimal”, citohet të ketë thënë Likaj.

Ndërsa, kryetari Haziri ka njoftuar se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e mësimit.

“E kam njoftuar ministrin Likaj për të gjitha përgatitjet që i ka bërë Komuna e Gjilanit me Drejtorinë e Arsimit, por gjithashtu edhe për sfidat që do të na presin brenda këtij viti shkollor, infrastrukturën shkollore, mësimin profesional dhe çështje tjera që janë në interes të zhvillimit të arsimit, si prioritet kryesor në Komunën e Gjilanit”, ka thënë ai.

Në takimin e zhvilluar javën e kaluar mes Drejtorëve Komunal të Arsimut, Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe ministrit të arsimit Ramë Likaj, ai ka thënë se është mirë që DKA-të dhe Ministria të bëjnë master planin dhe t’ia propozojnë Qeverisë dhe pastaj Qeveria të vendos për këtë çështje.

“Unë kisha propozuar që vendimin përfundimtar ta marrë Qeveria dhe master planin ne me dërgu dhe qeveria ta merr vendimin dhe ne vetëm e zbatojmë”, kishte thënë Likaj.