Likaj e rikonfirmon: Mësimi fillon të hënën, ndahet në dy faza

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj pas takimit me SBAShK dhe drejtoritë komunale të Arsimit ka rikonfirmuar se mësimi në shkollat e Kosovës do të fillojë të hënën, më 14 shtator në dy faza.

“Sot Kryesia e Kolegjiumit të DKA-ve na ka thirrur në takim dhe e komunikuam vendimin e Qeverisë për fillimin e vitit shkollor në dy faza. Faza e parë që është 14 shtator fillon me institucionet parashkollore, klasat 1,2 3 6 edhe klasat 10 në shkolla. Edhe klasa 4-5 do të fillojë sipas skenarit A, mësim të kombinuar ose prezencë në shkollë”, tha Likaj.

Ai tha se më 21 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7,8,9, 11 dhe 12.

“Këto klasa do të fillojnë mësimin më 21 shtator si mësim i mësim i kombinuar me prezencë 2 ditë në shkollë dhe tri ditë mësim në distancë”, tha Likaj.

Sipas tij, secila shkollë e ka task forcën e vet dhe ajo do të vendos për llojin e skenarit me të cilën zhvillohet mësimi në bazë të kapaciteteve të shkollës.

“Meqenëse secili institucion i arsimit e ka krijuar task forcën e vet, kjo task forcë në bazë të kapaciteteve të saj vendos për skenarin dhe llojin e mësimit që ata e organizojnë, sado që kanë kapacitet infrastrukturore dhe njerëzore”, shtoi ministri i Arsimit.

Likaj po ashtu theksoi se nxënësit janë të obliguar që të mbajnë maskat gjatë gjithë kohës dhe se plani mësimor është paraparë të ketë orar të shkurtuar.

Në anën tjetër, kreytari i SBAShK, Rrahman Jasharaj tha se të gjithë mësimdhënësit janë të gatshëm të fillojnë procesin mësimor me 14 shtator.

“Mësimdhënësit janë të gatshëm të fillojnë vitin e ri shkollor, gëzon faktin që kemi gatishmëri të punëtorëve te arsimit. Një pjesë e institucioneve arsimore janë të përgatitur dhe të gjitha do ta japin kontributin e tyre”, tha Jasharaj.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Po ashtu, Ministria e Arsimit ka paraparë edhe testimin e 1500 mësimdhënësve për COVID-19, para se të fillojë mësimi.