Likaj: Do të rishikohen të gjitha tekstet shkollore

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka bërë të ditur se do të rishikohen të gjitha tekstet shkollore.

Likaj në emisionin Për Ditë të Mbarë të RTV21 deklaroi se rishikimi i teksteve do të jetë me faza të caktuara, shkaku i mungesës së kapaciteteve.

“Klasën katërt dhe nëntë do të kryhet në pjesën e parë, konkursi ka dalë, ndërsa në vazhdimësi do të jenë për çdo 6 muaj nga dy klasë”, ka bërë të ditur Likaj.

Më 9 nëntor, MASh kishte hapur konkursin për tekste të reja shkollore. Në këtë fazë, MASh kishte shpallur konkurs për tekste shkollore dhe materialet mësimore për klasën e 4-të dhe 9-të.

Konkursi ishte shpallur për këto tekste: Gjuhë dhe komunikim, Artet, Matematikë, Shkencat Natyrore, Shoqëria dhe Mjedisi, Jeta dhe Puna, Edukata Fizike, sportet dhe shëndeti.

Ministria ka bërë të ditur se përzgjedhja e dorëshkrimeve për botim zhvillohet në tri faza: paravlerësimi, vlerësimi dhe vendimi për botim.

Procesi i botimit të teksteve të reja shkollor do të kompletohet në tërësi deri në vitin shkollor 2022/23.

Vitin e kaluar nxënësit e klasave 0-1-6-10 dhe 2-7 dhe 11 vitin e ri shkollor 2019/2020 e kishin filluar me tekste të reja shkollore, të cilat kishin kushtuar mbi 74 mijë euro. Por, këto tekste shkollore ishin kritikuar për përmbajtje jo të duhur për shumë nivele.

KALLXO.com po ashtu kishte raportuar se Përrallës së “Kësulëkuqes” i është ngatërruar personazhi kryesor i tregimit në librin e ri shkollor të klasës së gjashtë të Gjuhës Shqipe.

Në lidhje me këto tekste, nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh) kishin dhënë dorëheqje disa anëtarë të saj, pasi sipas tyre ka pasur shkelje në procesin e teksteve të reja shkollore.

Ndërsa instituti EdGuard kishte thënë se në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

Për këtë çështje kishte raportuar edhe ish-ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Komisionin për Arsim.