Foto: REL/Reuters

Ligjvënësit britanikë miratojnë projektligjin për BREXIT-in

Deputetët britanikë miratuan legjislacionin i cili do t’i lejojë Britanisë së Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian, më 31 janar, përmes një marrëveshjeje, duke i dhënë fund përplasjeve tre vjeçare për kushtet e divorcit.

Deputetët votuan me 330 vota pro dhe 231 kundër.

Projektligji u miratua pas një debati tre-ditor.

“Koha është për të zbatuar BREXIT-in. Ky projektligj do ta bëjë atë”, tha ministri për BREXIT-in, Stephen Barclay, para deputetëve.

Legjislacioni tani dërgohet në dhomën e lartë të parlamentit dhe pritet të bëhet ligj në javët e ardhshme, duke lënë kohë të mjaftueshme për Britaninë e Madhe, të largohet në fund të muajit me një marrëveshje e cila do të minimizojë pasojat ekonomike.

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BREXIT), është shtyrë disa herë, pasi marrëveshja me Bashkimin Evropian, e arritur nga ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ishte refuzuar tre herë në parlament.

Më pas, May dha dorëheqje nga posti dhe pasardhësi i saj, Boris Johnson, thirri mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në fund të vitit të kaluar. Ai fitoi një shumicë të madhe duke promovuar përfundimin e procesit të BREXIT-it në fund të janarit.

Johnson është i bindur se marrëveshja e tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, të cilën ai e dëshiron pas daljes së vendit nga BE-ja , mund të negociohet me kohë, por homologët e tij të BE-së janë më pak të bindur në këtë drejtim./REL