Ligjit për zyrtarët publikë i vazhdohet masa e përkohshme

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta vazhdojë masën e përkohshme ndaj Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Në seancën e mbajtur sot, kjo gjykatë ka vendosur që Ligji i Pagave të pezullohet deri më datë 28 prill.

“Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, në pajtim me nenin 116.2 të Kushtetutës, me nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 57 të Rregullores së punës:  TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 203/19, të datës të 19 nëntor 2019, deri më 28 prill 2020; TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimit në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Kushtetuese.

Më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për shërbyesit civilë.

Disa prej ndryshimeve kryesore që janë paraparë në këtë Ligj që është pezulluar ka qenë centralizimi i konkurseve për shërbyesit civilë.

Ky Ligj parasheh se pranimi në detyrë i nëpunësve civilë, nëpunësve të shërbimit publik dhe nëpunësit administrativ-teknik dhe mbështetës, bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.

Gjykata Kushtetuese pezullon Ligjin për zyrtarët publikë