Ligji për rimëkëmbje ekonomike ngjall diskutim në Kuvend

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka rekomanduar që sa më parë të kalojë në lexim të parë projektligji për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ai tha se është me rëndësi t’i harmonizojnë qëndrimet me prioritet rimëkëmbjen ekonomike.

“Propozoj ta përkrahim ligjin e propozuar nga qeveria dhe brenda këtij ligji brenda dy leximeve t’i fusim rezolutat edhe idetë e opozitës dhe ta nxjerrim një opsion të mirë”, tha Gashi.

Ai kërkoi që projektligji i propozuar të pasurohet edhe me propozimet e partive opozitare.

E kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi shtoi se numrat për të votuar një projektligj duhet t’i ketë kjo qeverisje.

“Nëse nuk i keni numrat për ta votuar një projektligj atëherë nuk i keni as për me qeverinë. Në shumicën e rasteve thirrja për ta votuar këtë projektligj është për ta keqinformuar qytetarin për situatën. Vetëm 31 vota nga 61 vota që i ka koalicioni ka nevojë që të kalojë ky projektligj”, tha ai.

“Këto 61 vota i gjetët për veti e për qytetarët nuk po i gjeni. Kalojeni morë kush po ju ndalë, kalojeni e keni mazhorancen qeverinë. Nga opozita nuk do të duhej të kërkoni që t’i bëni 31 vota nga 61 prezent dhe e fundit nga opozita ndoshta edhe mund të kërkohej dhe s’ka mungu kontributi sa ju përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Mos kërkoni prej nesh t’jua plotësojmë ne atë që është dashtë ta keni ju”, tha Selimi.

E Bedri Hamza tha se asnjë anëtar i qeverisë nuk është prezent në sallë dhe sipas tij këtu shihet serioziteti i tyre.

“Për sa është e rëndësishme dhe sa janë serioz në këtë temë po shihet sepse nuk e kemi asnjë anëtar të qeverisë”, tha ai duke e mbrojtur edhe iniciativën ligjore të propozuar nga PDK-ja.

Arben Gashi shtoi se ishin të hapur për opozitën që të paraqesin propozimet e tyre por sipas tij nuk kishte vullnet.

“Na mbetet neve me i bo 61 deputetë të shumicës në sallë dhe me kalu ne i kishim propozimin që m’i marr të gjitha propozimet”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani shtoi se mocioni për ndryshimin e rendit të ditës mund të bëhet vetëm në fillim të seancës.

“Kjo pikë nuk mund të shtohet përmes një mocioni të tillë. Nëse bëhet urgjent ajo është diçka tjetër por për shmangie duhet t’i kemi 2/3”, shtoi ajo.

Seanca e Kuvendit

Seanca e Kuvendit

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 21 septembre 2020