Foto: ZKM

Ligji për Qeverinë: Maksimum 17 ministri, 3 zëvendëskryeministra, nuk lejohen koordinatorët

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës pritet që shumë shpejt të dalë në seancë të Kuvendit të Kosovës për t’u votuar nga ana e deputetëve.

Kur ky projektligj të votohet në Kuvend, në kabinetin e kryeministrit të ardhshëm nuk do të mund të ketë më shumë se 17 ministri.

Sipas këtij Ligji, një Qeveri pritet t’i ketë 15 ministri dhe 2 të tjera mund të shtohen varësisht nga kërkesa e shefit të Qeverisë.

“Qeveria përbëhet nga jo më shumë se  pesëmbëdhjetë (15) ministri. Përjashtimisht, me propozim të mandatarit për formimin e Qeverisë, mund të propozohen edhe dy ministri shtesë”, thuhet në pikën 3 të nenit 4 të projektligjit për Qeverinë e Kosovës.

Përveç numrit të ministrive, me këtë ligj pritet të rregullohet edhe numri i zëvendësministrave.

Një kryeministër nuk do të ketë mundësi të emërojë më shumë se 3 zëvendës të tij. Kështu është specifikuar në ligjin për Qeverinë.

“Qeveria përbëhet nga jo më shumë se tre (3) Zëvendëskryeministra, ku njëri nga ta emërohet si zëvendëskryeministër i parë”, thuhet në pikën 2 të nenit 4 të këtij projektligji.

Poashtu përmes këtij Ligji pritet të rregullohet edhe çështja e ministrave pa portofol, që shpesh herë është përdorur nga ana e kryeministrave në të kaluarën.

Ligji ia ndalon kryeministrit të emërojë ministër pa portofol dhe nuk lejon të themelohen trupa të ngjashëm me funksionet paralele të një ministri.

“Qeveria nuk mund të ketë ministra pa portofol dhe nuk mund të themelojë trupa të ngjashëm me ministritë apo të ketë të emëruar që bartin funksione paralele me atë të një ministri”, thuhet në projektligj.

Ky projektligj do t’ua ndalojë kryeministrave që të emërojnë koordinatorë nacionalë që tashmë mbulohen nga ndonjë ministri tjetër.

“Qeveria nuk mund të ketë ministra pa portofol dhe nuk mund të themelojë trupa të ngjashëm me ministritë apo të ketë të emëruar që bartin funksione paralele me atë të një ministri”, thuhet në projektligj.

Gjatë qeverisjes së ish kryeministrit Ramush Haradinaj ishin emëruar disa koordinatorë nacionalë me pagë të barazvlefshme me atë të ministrit.

Në mes tyre kishte qenë edhe Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti.

Të njëjtën fushë e kishte udhëhequr edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Poashtu, një pozitë e ngjashme ishe shpikur edhe për pozitën e Koordinatorit për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit. Në këtë pozitë ishte emëruar djali i ish presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugova.

Të njëjtat çështje ishin menaxhuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në atë kohë.

Çerek milioni mund t’i kushtojnë arkës së shtetit Mendim Rugova dhe Rexhep Hoti bashkë me stafin e tyre

Qeveria Hoti momentalisht numëron 4 zëvendëskryeministra dhe 15 ministra në 16 ministri. Ministria e Pushtetit Lokal udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Goran Rakiq.

Përveç këtyre, Ligji për Qeverinë pritet të vendosë rregulla në lidhje me fushë veprimtarinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës pritet të përcaktoj edhe kufizimet në kompetenca të Qeverisë në dorëheqje.

Qeveria e Kosovës ka miratuar programin legjislativ për vitin 2020 dhe projektligji për Qeverinë pritet që deri më 27 nëntor të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Pasi që Qeveria ta procedojë, Kuvendi i Kosovës duhet që ta futë në lexim të parë projektligjin jo më herët se dy javë dhe jo më vonë 4 javë.

Pas votimit të leximit të parë të këtij projektligji, votimi i leximit të dytë duhet të behet brenda 60 ditëve nga miratimi i leximit të parë.