Ligji për KPMSHCK procedohet në Presidencë, pa nenet e shpallura si të pavlefshme nga Kushtetuesja

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka përcjellë në Presidencën e Kosovës, Ligjin nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pa nenet e shpallura si të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 korrik 2024.

Këtë vendim, ky komision e mori gjatë takimit të së martës, më 10.09.2024, ku u diskutua për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastet KO232/23 dhe KO233/23, lidhur me Ligjin nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për KPMSHCK-së.

Kryetari i këtij komisioni, deputeti Valon Ramadani (LVV) bëri të ditur se sipas Rregullores së Kuvendit, komisionit i kërkohet që të përgatis tekstin e ligjit, sipas vendimit të Kushtetueses dhe ta procedojë atë për shpallje në Presidencë.

“Kërkohet nga Komisioni që në përputhje me aktgjykimin e GK-së të përgatis tekstin e Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për KPMSHCK-së, pa nenet 2, 6,7,8,9,10 dhe 11, të shpallura të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese të procedohet për shpallje nga Presidentja e Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit”- tha Ramadani.

Deputeti Isak Shabani (PDK), nënkryetar i Komisionit, ngriti shqetësimin se mbledhja e ditës së sotme, 10.09.2024, është thirrur me një pikë të rendit të ditës, pavarësisht se ka pasur edhe kërkesa tjera për t’u trajtuar.

Sipas tij, qëllimi i Ligjit të kontestuar nga Kushtetuesja ka qenë që KPMSHCK-së t‘i merren shumë kompetenca.

“Një shqetësim tjetër që dua të ngris është se muajin korrik ne kemi kërkuar nga kryetari, i kemi informuar të gjithë, që me u mbajt një mbledhje (e komisionit) që me raportua Bordi i RTK-së në lidhje me shqetësimet në opinion, që kanë qenë shqetësime mjaft të mëdha, duke qenë se si komision e kemi edhe fushën e mediave. Kemi dorëheqje të anëtarëve të bordit, drejtorit të përgjithshëm, kemi deklarime se është përfshirë edhe AKI, si dhe kemi lajme të rrejshme e të paverifikueshme”-  tha Shabani.

Kurse deputeti i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se disa herë ka tërhequr vërejtjen (opozita) se komisioni ka tentativë për shkelje të Kushtetutës me draftimin për plotësim ndryshimin e Ligjit për KPMSHCK-në.

“Megjithatë ky komision ka vazhduar me shumicën dhe e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës. Edhe aty ua kemi bërë të ditur se me aprovimin këtij ligji po shkelet Kushtetuta, por nuk është dëgjuar zëri i opozitës”- tha Veliu.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku (PKD) tha gjatë fjalës së tij, se opozita vazhdimisht e ka kritikuar Qeverinë, e cila siç tha, ka ardhur me ‘stupc në krahë’ dhe ka bërë dhjetëra shkelje të Kushtetutës. “Nuk është hera e parë që kemi një shkelje kushtetuese. Janë mbi 10 shkelje që qeveria dhe mazhoranca kanë bërë gjatë kësaj legjislature. LVV ka dashur t’i kap këto institucione.”- ka thënë Lushtaku.

Pas diskutimeve, sipas kryetarit të Komisionit, Ramadan, Ligji do t’i përcillet për shpallje presidentes së Kosovës, sipas Rregullores së Kuvendit.

Më 27.06.2024, Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastet KO232/23, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë; dhe KO233/23, me parashtrues: Besian Mustafa dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuara në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson Ligjin nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në katër aspekte kryesore. Së pari, ndryshon përbërjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga shtatë (7) në pesëmbëdhjetë (15) anëtarë, duke ndryshuar dhe/ose plotësuar edhe aspekte që ndërlidhen me kriteret dhe procedurën për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Së dyti, eliminon dispozitën aktuale ligjore që garanton imunitetin në vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Së treti, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe/ose kandidatëve për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese kundër vendimeve të Qeverisë, përkatësisht pamundëson ankesat e të njëjtëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ndaj vendimeve të Qeverisë, por duke u garantuar të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente në konflikt administrativ.

Dhe, së katërti, për dallim nga ligji në fuqi për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, statusin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si të ekzekutueshme, e kushtëzon ose në mungesën e ankesës në gjykatën kompetente ose në rast të ankesës, në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë nga gjykata kompetente.

Si përfundim, Gjykata vendosi që ky ligj t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të tij, të cilat janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla, janë shpallur të pavlefshme.