Foto: Policia e Kosovës

Ligji kundër COVID-19?! Jo faleminderit, nuk vlen për politikën

Nga muaji gusht i vitit të kaluar e deri më tani, Policia e Kosovës thotë se ka shqiptuar 113,137 dënime për shkelje të Ligjit për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Ky ligj parash dënime nga 35 deri në 2,000 mijë euro për të gjithë ata që shkelin masat e vendosura nga institucionet.

Mirëpo, ky ligj duket se nuk vlen për politikanët që tashmë jozyrtarisht kanë nisur fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara që të mbahen më 14 shkurt.

Në takime me dhjetëra e qindra njerëz, pa maska e pa distancë, politikanët po shkelin vazhdimisht masat e vendosura nga vetë institucionet në luftën kundër pandemisë.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Policinë Kosovës nëse deri më tani ka parandaluar ndonjë tubim partiak ku nuk janë respektuar masat.

Ky institucion ka thënë se do të marrë masa ndaj çdokujt pa dallim, pa treguar nëse ka ndërhyjë në ndonjë aktivitet politik.

“Nga data 26.08.2020 deri më datën 07.01.2021 janë shqiptuar 113.137 fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit ndaj personave pa dallime për moszbatim të masave ndaj pandemisë COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Standardi i dyfishtë

Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës është e ndaluar që të ketë grumbullim të qytetarëve në numër prej më shumë se katër personave në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se është duke u aplikuar standard i dyfishtë nga mosveprimi i Policisë së Kosovës në rastet kur subjektet politike organizojnë takime me simpatizantë, pa respektuar masat.

“Nuk mund të përdoret qasje selektive nga Policia e Kosovës në raport me qytetarët, të cilët sanksionohen vazhdimisht për shkelje të kësaj natyre, kurse të lirohen partitë dhe simpatizantët e partive politike”, thotë Zekaj.

Zekaj thotë se shkeljet e masave që po bëjnë subjektet politike paraqesin kundërvajtje.

“Mosrespektimi i këtyre masave nga partitë politike paraqet kundërvajtje sipas Ligjit për parandalimin e pandemisë COVID-19. Kështu që Policia e Kosovës nuk duhet të bëjë përjashtim për aktorët politikë dhe nuk duhet që partitë të shkelin këtë ligj në rastet e para-fushatave dhe fushatave zgjedhore”, thotë Zekaj.

Drejtori ekzekutiv Demokraci Plus, Valmir Ismaili thotë se takime, ku nuk po respektohen masat, janë duke u mbajtur të gjitha subjektet politike.

“Në vend se subjektet politike të jenë shembull për të mirë për qytetarët, ato janë duke u shndërruar në shembuj të këqij dhe çka është më e keqja, nuk janë duke marrë asnjë dënim meritor ose së paku publiku nuk e di që policia ose inspektorati kanë nisur ndonjë hetim ose kanë marrë ndonjë vendim kundër këtyre subjekteve politike”, thotë Ismaili.

Kryeminstri në detyrë shkel masat

Me 7 janar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka publikuar në Facebook fotografi nga një aktivitet partiak në qytetin e Shtimes.

Në këtë ambient të mbyllur dhe të ngushtë shihen rreth 30 persona, shumica prej tyre pa distancë dhe pa mjete mbrojtëse.

Në këtë takim të pranishëm kanë qenë edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj si dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Abran Abrashi.

Haradinaj, kampion i takimeve pa maska

Që nga shfaqja e pandemisë, ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka publikuar video dhe fotografi ku ai shihej se nuk respektonte masat kundër koronavirusit të ri.

Në një nga postimet e tij të fundit, me datë 6 janar Haradinaj shihet i shoqëruar nga dhjetëra persona me të cilët ai flet dorë për dore.

Përveç se mungojnë maskat në këtë takim të Haradinajt, nuk respektohet as distanca.

Maska i mungon shpesh edhe Kurtit

Më profilin e Facebook-ut të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, gjenden fotografi ku shihet edhe ai duke mos mbajtur maska gjatë vizitave dhe takimeve të ndryshme.

Gjatë kësaj vizite në familjen Dehari, Albin Kurti si dhe deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, nuk bartin maska.

Të njëjtën gjë, Kurti, e ka bërë gjatë vizitës në shtëpinë e familjes së Rexhep Selimit.

Poashtu, Vetëvendosje po organizon takime më dhjetëra njerëz nëpër ambiente të mbyllura, me maska, por pa distancë fizike.

Njëjtë edhe në PDK

Shumë takime me dhjetëra qytetarë është duke mbajtur së fundi edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj.

Në këto fotografi shihen dhjetëra persona duke mos mbajtur distancën.

Takime pa respektuar masat në PDK ka zhvilluar edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Takimet e Nismës

Takime të shumta po zhvillon edhe Nisma Socialdemokrate.

Në këto fotografi shihen një numër i madh aktivistësh derisa marrin pjesë në një takim me kryetarin e këtij subjekti politik, Fatmir Limaj.

Sfida e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, shpalli 14 shkurtin si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Dhjetë ditë fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit

Në pandemi, Kosova zhvilloi dy procese të tjera zgjedhore. Ato për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut si dhe për kryetar të Podujevës.

Që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 në Kosovë, në muajin mars, institucionet kanë vendosur e larguar masa parandaluese.

Gjerë më tani, numri i personave të infektuar në Kosovë është rreth 53 mijë, ndërkohë që deri më 8 janar 1.368 pacientë kanë vdekur nga virusi./REL