Ilustrim

Ligji i Punës: Nuk ka gjoba, inspektoriati po merr shënime për kompanitë

Menjëherë pas konfirmimit të rasteve me virusin COVID-19, Qeveria e Kosovës mori disa masa parandaluese të përhapjes së pandemisë.

Në vendimin e ekzekutivit kosovar u pezullua puna në disa biznese e u reduktua stafi civil në shumicën e institucioneve publike.

Pas vendimit, shumë punëtor nga sektori privat u ankuan për zgjatje të orarit në disa biznese, e në disa të tjera, ata thanë se kompanitë private po u dhënë pushim pa pagesë.

Valon Leci, ushtrues detyre i Kryeinspektorit të Punës në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, ka thënë se po pranojnë ankesa nga qytetarët për shkeljet në vendin e punës.

Por, sipas Lecit, ende nuk janë gjobitur bizneset për të cilat ka pasur ankesa.

Në një intervistë për KALLXO.com, Leci ka folur edhe për pushimin që bizneset po u dhënë të punësuarve pa pagesë.

“E kemi një numër ku qytetarët po thirrin për t’i raportuar ankesat, numri është pa pagesë dhe unë personalisht i kam pranuar disa dhe i kam adresuar te inspektorët. Këto dy t-tri ditë nuk kemi bërë gjoba sepse jemi duke u munduar të jemi sa më përfshirës, ju e kuptoni se kur shqiptohet gjoba është një vendim që duhet të hartohet një analizë më të detajuar. Jemi të fokusuar që të ruajmë shëndetin e qytetarëve, do t’i ndërmarrim edhe masat”, ka thënë U.D. Kryeinspektori i Punës.

Ai ka thënë se numri i vogël i inspektorëve, 37, po u sjell telashe në mbulimin e tërë territorit të vendit.

Ai tha se po respektohen masat të cilat janë prezantuar nga Qeveria e Kosovës që prej kur u shfaq virusi COVID-19.

“E kemi këto ditë orarin e zgjatur të punës, edhe në fundjava po punojmë në kuadër të udhëzimeve që i kemi pranuar nga ministria dhe nga qeveria. Numri i Inspektoreve të Punës është ekstremisht i vogël në raport me punët në terren, shumica e inspektoreve janë në dispozicion të situatës, ata janë në terren edhe në këto momente, kam dal edhe vetë në terren”, ka thënë ai.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijesuar me rrezikun që na paraqet ky virus dhe me pasojat eventuale të këtij virusi, i kanë respektuar në masë të madhe rekomandimet që kanë dal nga Instituti i Shëndetësisë Publike”, deklaroi ai për KALLXO.com.

“Ligji i punës nuk e specifikon se mund të jepin ditë pushimi pa pagesë, ne jemi duke u ballafaquar me këtë situatë. Dhënia e pushimit pa pagesë në këtë situatë po trajtohet nga Inspektorati i Punës dhe ne jemi këtu që t’i mbështetsim ata që po u shkelen të drejtat. “Në dispozitat e ligjit nuk parashihet kjo, që të jepet pushim pa pagesë, këtu punëdhënësi duhet të paguajnë për kohën e punës apo duhet të u japin punë në shtëpi sepse shumica e subjekteve ekonomike nuk janë të mbyllura”, tha tutje Valon Leci nga Inspektorati i Punës.

Ai ka pasur edhe një përgjigje për ankesat e disa punëtoreve të cilëve u është dhënë pushim pa pagesë nga punëdhënësit.

“Ky nuk është pushim vjetor, kjo është një situatë specifike, emergjente të cilën nuk duhet ta shfrytëzoj as punëdhënësi por as edhe punësuari. Duhet të jetë parasysh interesi i palëve, në këtë situatë kur ndoshta ka më së shumti nevojë për paga. Ju bëj thirrje punëdhënëseve që në këtë kohë specifike të kenë ndjeshmëri më të lartë thjeshtë sesa ato kornizat juridike që përcaktohen në raportet, punëmarrës-punëdhënës”, ka deklaruar ai.

Intervistë: Valon Leci

Intervistë: Valon Leci

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 17 mars 2020

 

Më 13 mars, pas konfirmimit të rasteve të para me virusin COVID-19, Qeveria e Kosovës mori disa vendime të cilat prekën punonjësit në sektorin privat e publik.

“Urdhërohen kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia”, thuhej në vendimin që ekzekutivi mori pas një mbledhje të jashtëzakonshme.

Reduktime të stafit vendimi parashihte edhe në sektorin publik.

Gjithashtu, Qeveria mbylli edhe shumë biznese, për t’i shmangur grumbullimet e njerëzve.

Avni Ajdini, kryetar i sindikatës “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, tha për KALLXO.com se masat e marra nga Qeveria duhet të respektohen, si nga punëdhënësit ashtu edhe nga punëmarrësit.

“Unë kam apleuar te të gjithë punëdhënësit, që punëtoret duhet ë lirohen konform rregullave që i ka paraparë Qeveria e Kosovës dhe  institucionet shëndetësore, duhet të mbrohet shëndeti i punëtorëve, nuk është më në pyetje parja por është shëndeti”, tha Arifi.

“Ata persona që nuk u përmbahen rregullave të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, unë propozoj që duhet të dënohen në maksimin e gjobave siç e parasheh Inspektorati i Punës”, deklaroi ai.

“Unë kam bërë apel për këtë dhe qëndroj parapara këtij vendimi, ata persona që nuk i respektojnë këto rregulla duhet të ndëshkohen”, tha ai.

 Nga java e kaluar Kosova ka ndërrmarrë masa drastike për parandalimin e virusit covid. Në mesin e masave është edhe ndalimi i punës për disa biznese.

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.