Ligji i ndalon, por MI nuk po mund t`i largoj reklamat nga autostradat, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme

 

Reklamat në autostrada janë të ndaluara me ligj por zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se është e pamundur të hiqen ato reklama.

“Një prej atyre kompanive është ankuar në gjykatë dhe ka masë prej gjykatës që deri me vendimin përfundimtar të gjykatës kësaj kompanie i lejohet që të vendos reklama”, tha Durmishi për KALLXO.com.

Sipas tij, kompanitë tjera e keqpërdorin këtë masë të gjykatës.

“Ka një masë të përkohshme nga gjykata e cila neve na i pamundëson të marrim veprime aktualisht”, shtoi ai.

Në ligjin Nr.05 L-088 për rregullat e trafikut rrugor thuhet se jashtë zonës urbane nuk mund të vihen mbishkrime ose reklama.

“Në rrugët publike dhe në brezin mbrojtës të rrugëve publike jashtë zonës urbane nuk mund të vihen mbishkrime ose reklama, në rrugët nacionale dhe rajonale në distancë më të vogël se pesë (5) metra, kurse në rrugët lokale në distancë më të vogël se tri (3) metra nga pika më e largët e profilit tërthor të rrugës”, thuhet në nenin 10, pika 4.

KALLXO.com ka pyetur zëvendësministrin se sa për qind të rrugëve janë pa sinjalistikë.

“Nuk e di saktë me përqindje por diku 37% të rrugëve nuk janë të mbuluara me kontrata për sinjalistikë për shkak se nuk ka pasur kontrata prej vitit 2017 dhe deri më tani”, tha Durmishi.

Ai tha se tani është shpallur tenderi për sinjalistikë dhe se është në procedurë.

#KALLXOPERNIME pati tranmetuar një hulumtim lidhur me vendosjen e reklamavae në rrugët nacionale-Autostrada: