
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ligjet 'e bllokuara' në pritje të shqyrtimit nga Gjykatën Kushtetuese
Në mesin e 5 ligjeve që vazhdojnë të mbesin në Gjykatën Kushtetuese është edhe Ligji për Pagën Minimale i miratuar në korrik të këtij viti.
Ky ligj është dërguar në Kushtetuese nga grupi parlamentar i AAK-së më 21 korrik, 8 ditë pasi ishte miratuar nga Kuvendi.
Sipas këtij Ligji paga minimale do të bëhej 264 euro nga 170 euro sa ishte.
Kallxo.com i është drejtuar me pyetje kësaj gjykate për të ditur se në cilën fazë janë këto ligje, ndonëse ka kaluar kohë e gjatë që kur të njëjtat janë deponuar për shqyrtim, dhe të njëjtat kanë një nivel të lartë të interesit publik.
Në një përgjigje të shkurtë dhënë për Kallxo.com, Kushtetuesja ka thënë se këto ligje janë në shqyrtim dhe posa të vendoset për to, do të njoftohen parashtruesit dhe opinioni.
“Këto kërkesa janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Sapo të merren vendimet në këto raste, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët parashtruese dhe opinion” – përshkruhet në përgjigjen në fjalë.
Në anën tjetër, presidentja e vendit, Vjosa osmani kishte deklaruar se nuk do ta dekretojë ligjin për pagën minimale, deri të vendoset kushtetushmëria e tij, nga Gjykata Kushtetuese.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas mundësisë, duhet të merret brenda 60 ditëve pas pranimit të kërkesë, sipas nenit 54 të këtij ligji.
Përveç Ligjit për Pagën Minimale, në shqyrtim vazhdojnë të mbesin; Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Sipas statistikave të publikuara nga ky institucion, në muajin shtator ky insitucion e ka zgjidhur vetëm një rast nga 4 raste të shqyrtuara.
Në këtë muaj, ishin pranuar gjithsej 32 ankesa, dhe është muaji i dytë me më së shumti kërkesa të pranuara, pas muajit shkurt me gjithsej 35 kërkesa.
Nuk ka evidencë të përditësuar lidhur me muajt tetor dhe nëntor të këtij viti lidhur me kërkesat e pranura, shqyrtuara dhe të zgjidhura.
Sipas buletinit informativ të kësaj gjykate për periudhën 6 mujore të këtij viti, në këtë gjykatë janë aktulisht 8 gjyqtarë.