
Foto: Pixabay
Ligjëratë mbi tipologjitë dhe pasojat e pastrimit të parave me studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka mbajtur një ligjëratë mbi procesin e pastrimit të parave me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, më 13.03.2025. Kjo ligjëratë është mbajtur nga një trajner i certifikuar i hetimeve financiare dhe pastrimit të parave.
Kjo ligjëratë u organizua me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe njohurive mbi mekanizmat e parandalimit dhe analizimit të kësaj dukurie kriminale.
Rreth 25 studentë patën mundësinë të marrin njohuri në lidhje me temat, si: kuptimi i pastrimit të parave, kërkesat e standardeve ndërkombëtare dhe ligjore në Kosovë, tipologjitë dhe indikatorët më të shpeshtë të pastrimit të parave, aktivitetet kriminale që i paraprijnë pastrimit të parave dhe sektorët më të cenueshëm, pasojat dhe efektet e pastrimit të parave dhe teknika e Analizës Financiare të Pasurisë Neto.
Gjatë gjithë ligjëratës studentët patën mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me ligjëruesin edhe në lidhje me shembuj e tipologji të pastrimit të parave në Kosovë.
Ligjërata u vlerësua si një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit Ekonomik për të kuptuar më thellë sfidat që paraqet pastrimi i parave dhe për të mësuar mbi strategjitë e Analizës financiare.
Pjesëmarrësit shprehën interes për tema të ngjashme në të ardhmen – duke e konsideruar këtë ligjëratë si një kontribut të rëndësishëm në edukimin dhe zhvillimin e tyre profesional.
Kjo është ligjërata e parë me studentë, nga tri ligjërata që do të mbahen në total. Pas ligjëratës me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, BIRN do të mbajë ligjëratën e dytë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan dhe ligjëratën e tretë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini”, në Mitrovicë.
Mbajtja e ligjëratave me studentë mbi procesin e pastrimit të parave bëhet në kuadër të projektit: “Edukimi masiv i qytetarëve të Kosovës për pasojat e pastrimit të parave, llojet e pastrimit të parave dhe sfidat institucionale në luftimin e pastrimit të parave”, i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.