
Ligjërata për pastrim të parave me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit "Isa Boletini" në Mitrovicë, Foto: BIRN
Ligjëratë mbi tipologjitë dhe pasojat e pastrimit të parave me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Mitrovicës
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka mbajtur një ligjëratë mbi procesin e pastrimit të parave me studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, më 17.03.2025. Kjo ligjëratë është mbajtur nga një trajner i certifikuar i hetimeve financiare dhe pastrimit të parave.
Ky aktivitet u organizua me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe njohurive mbi mekanizmat e parandalimit dhe analizimit të kësaj dukurie kriminale.
Mbi 40 studentë patën mundësinë të marrin njohuri në lidhje me temat, si: kuptimi i pastrimit të parave, kërkesat e standardeve ndërkombëtare dhe ligjore në Kosovë, tipologjitë dhe indikatorët më të shpeshtë të pastrimit të parave, aktivitetet kriminale që i paraprijnë pastrimit të parave dhe sektorët më të cenueshëm, pasojat dhe efektet e pastrimit të parave dhe teknika e Analizës financiare të Pasurisë Neto.
Gjatë gjithë ligjëratës, studentët patën mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me ligjëruesin, edhe në lidhje me shembuj e tipologji të pastrimit të parave në Kosovë.
Ligjërata u vlerësua si një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit të Ekonomisë për të kuptuar më thellë sfidat që paraqet pastrimi i parave dhe për të mësuar mbi strategjitë e Analizës financiare.
Pjesëmarrësit shprehën interes të madh për tema të ngjashme në të ardhmen – duke e konsideruar këtë ligjëratë si një kontribut të rëndësishëm në edukimin dhe zhvillimin profesional të tyre.
Kjo është ligjërata e tretë me studentë të Fakulteteve Ekonomike në Universitetet publike. BIRN ka mbajtur një ligjëratë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, një ligjëratë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe një ligjëratë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Mbajtja e ligjëratave me studentë mbi procesin e pastrimit të parave bëhet në kuadër të projektit: “Edukimi masiv i qytetarëve të Kosovës për pasojat e pastrimit të parave, llojet e pastrimit të parave dhe sfidat institucionale në luftimin e pastrimit të parave”, i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.