
Ligjërata me studentët e Fakultetit Ekonomik në Gjilan, Foto: BIRN
Ligjëratë mbi tipologjitë dhe pasojat e pastrimit të parave me studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Gjilanit
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka mbajtur një ligjëratë mbi procesin e pastrimit të parave me studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan më 14.03.2025.
Kjo ligjëratë është mbajtur nga një trajner i certifikuar i hetimeve financiare dhe pastrimit të parave dhe u organizua me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe njohurive mbi mekanizmat e parandalimit dhe analizimit të kësaj dukurie kriminale.
Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të marrin njohuri në lidhje me temat si: kuptimi i pastrimit të parave; kërkesat e standardeve ndërkombëtare dhe ligjore në Kosovë; tipologjitë dhe indikatorët më të shpeshtë të pastrimit të parave; aktivitetet kriminale që i paraprijnë pastrimit të parave dhe sektorët më të cenueshëm; pasojat dhe efektet e pastrimit të parave dhe teknika e Analizës Financiare të Pasurisë Neto.
Gjatë të gjithë ligjëratës, studentët patën mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me ligjëruesin edhe në lidhje me shembuj e tipologji të pastrimit të parave në Kosovë.
Ligjërata u vlerësua si një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit të Ekonomisë për të kuptuar më thellë sfidat që paraqet pastrimi i parave dhe për të mësuar mbi strategjitë e analizës financiare.
Pjesëmarrësit shprehën interes të madh për tema të ngjashme në të ardhmen, duke e konsideruar këtë ligjëratë si një kontribut të rëndësishëm në edukimin dhe zhvillimin profesional të tyre.
Kjo është ligjërata e dytë me studentë nga tri ligjërata që do të mbahen në total. Pas ligjëratës me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, dhe me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, BIRN do të mbajë edhe ligjëratën e tretë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Mbajtja e ligjëratave me studentë mbi procesin e pastrimit të parave bëhet në kuadër të projektit “Edukimi masiv i qytetarëve të Kosovës për pasojat e pastrimit të parave, llojet e pastrimit të parave dhe sfidat institucionale në luftimin e pastrimit të parave”, i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.