Joe DioGuardi, Joe Biden dhe Shirley DioGuardi - Foto: Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Liga Qytetare: Shqiptaro-amerikanët luajtën rol kyç në zgjedhjen e Joe Bidenit

Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, duke e mposhtur presidentin aktual, Donald Trump.

E Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane po pretendon se shqiptarët e Amerikës luajtën rol kyç në fitoren e kandidatit demokrat,

“Në tri shtete fushëbeteje zgjedhore – Miçigan, Pensilvani, dhe Uiskonsin, shqiptaro-amerikanët luajtën një rol kryesor në zgjedhjen e Joe Biden”, thekson Liga Qytetare.

Liga përkujton se nga koha kur Biden i hyri garës për president në prill 2019, ajo ka luajtur një rol të vacantë për t’ua përkujtuar shqiptaro-amerikanëve se cilat ishin përpjekjet e vazhdueshme të Joe Biden për të sjellë Sllobodan Millosheviqin në Tribunalin për Krime të Luftës në Hagë, për pavarësinë e Kosovës dhe për të përkrahur lirinë për të gjithë shqiptarët në Evropën Juglindore.

“Në pranverën e vitit 2019, Liga Qytetare lansoi një platformë përkrahëse për garën presidenciale për Joe Biden (www.albaniansforbiden.com) të udhëhequr nga kolegu ynë dhe anëtari ekzekutiv i bordit të Ligës Qytetare, Faton Bislimi, si dhe në fillim të vitit 2020, Joe DioGuardi zyrtarisht iu bashkangjit grupit të ish-kongresistëve republikanë në përkrahje të Biden për president”, thuhet në njoftim.

Gjatë gjithë kësaj kohe, shton Liga Qytetare, ua kemi rikujtuar shqiptaro-amerikanëve që ajo ka punuar ngusht me Joe Biden për të ndalur luftën e Millosheviqit në Bosnjë e Kroaci më 1991, si dhe për t’iu përgjigjur ofansivës serbe të verës 1998 kundër Kosovës duke siguruar përkrahje ndërkombëtare për bombardimin e Serbisë nga SHBA/NATO më 1999.

“Liga Qytetare vazhdoi të përkrahë Joe Biden në pozitën e tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit deri sa ai u bë zëvendëspresident i Barack Obamas në vitin 2006”, thuhet në njoftim.

Tutje, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka përmendur disa prej punëve që i kanë bërër me Joe Biden:

Joe DioGuardi ka dëshmuar në disa dëgjime para senatorit Biden në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit si më 1991 dhe 1998. Më 2001, Joe dhe Shirley DioGuardi prezantuan Joe Biden para anëtarëve të bordit dhe përkrahësve kyç të Ligës Qytetare në një takim historik treorësh për Kosovën në Columbus Citizens Foundation në New York City. Më 2002, Joe Biden ishte folësi kryesor në solemnitetin për shënimin e 12 vjetorit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Sheraton Hotel në Manhattan. Më vonë atë vit, Liga Qytetare i ndau Joe Biden Çmimin e dytë vjetor e Ligës Qytetare për Paqe në Ballkan në Capitol Hill Club në Washington, DC, në vlerësim të angazhimit të tij për të sjellë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropën Juglindore.

Marrëdhënia jonë me Joe Biden nuk ka të bëjë fare me përkatësinë partiake. Për tridhjetë vite, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka punuar me anëtarë të Kongresit nga të dyja taborret politike partiake si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Puna jonë me Joe Biden është rezultat i faktit që ai u gjend pranë popullit shqiptar kudo dhe kurdo që ne kishim nevojë për të. Ai luajti një rol të dukshëm dhe impresiv në arritjen e pavarësisë së Kosovës, dhe ne jemi konfidentë që ai, si President, do të rindërtojë marrëdhëniet e afërta të SHBA-ve me BE-në dhe NATO-n, dhe do të sjellë integrimin evro-atlantik të Kosovës. Së fundi, ne jemi konfidentë se presidenti Joe Biden do të punojë për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb.