Ilustrim
Lifti me defekt në një objekt në Ferizaj, qytetarja mbetet mes kateve dhe lëndohet duke u larguar
Një qytetar raportoi në KALLXO.com se ka ndodhur një incident tek një objekt banesor të “Idea Invest” në rrugën “Emin Duraku” në Ferizaj.
Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Qazim Reka, zëvendësdrejtor në Policinë Rajonale të Ferizajt, i cili thotë se rasti ka ndodhur më 16.08.2024 rreth orës 12:30.
“Banorja derisa kishte qenë duke zbritur me liftin e kësaj banese, lifti ishte ndalur për shkak të një defekti mes katit të pestë dhe të katërt, ku me këtë rast tekniku kishte hapur derën e liftit dhe kishte ndihmuar që kjo banorë të dile nga lifti. Gjatë kohës sa banorja kishte qenë duke dalur nga lifti, ishte rrëzuar në dyshemenë e objektit dhe kishte pësuar lëndime trupore” – deklaroi Reka.
Tutje ai deklaroi se viktima u dërgua në Emergjencë, me ç’rast i ishte dhënë edhe ndihma e parë kurse është iniciuar edhe rast në Prokurori.
Drejtori Mjekësor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Fitim Goga, ka thënë për KALLXO.com se rasti ka qenë me lëndime të lehta trupore.
“Pacientja ka pasur lëndime të ekstremiteteve dhe të hundës. Janë bërë incizime dhe është thirrur Policia dhe pacienti është lëshuar në shtëpi në gjendje stabile” – thotë Goga.
KALLXO.com rreth këtij rasti ka kontaktuar në telefon edhe me kompaninë “Idea Invest”. Personi që është përgjigjur në numrin e telefonit të kësaj kompanie deklaroi se nuk është i informuar për rastin dhe e ka referuar gazetarin të kontaktojë me avokatin e kompanisë.
“Unë s’po e disha. Nuk jam në Kosovë. E kemi avokatin, po ua jap numrin e avokatit të kompanisë, thirre Jeton Berishën” – tha personi që u përgjigj në telefon, i cili edhe e mbylli telefonin pa treguar identitetin e tij.
Pas kësaj, KALLXO.com sipas rekomandimit ka kontaktuar edhe me Jeton Berishën, avokatin e kompanisë “Idea Invest”. Ai tha se nuk ka informacione për një ngjarje të tillë.
“Për zotin unë nuk kam asnjë informatë, nuk më ka thirrë askush prej palëve me më tregu për aksident dhe nuk po di çka me të thënë” – deklaroi Berisha.