Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lidhjet politike të bordit të Postës që vendosi për pagat e larta të menaxherëve

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës mori një vendim më 3 dhjetor ku miratoi kthimin e përkohshëm të koeficientit të pagave për disa pozita menaxheriale në këtë institucion.

Kështu, vendimi parasheh që pozita e kryeshefit ekzekutiv të ketë pagë mujore prej 2 mijë e 500 eurove.

Ndërsa, pozitat si zëvendës kryeshef, zyrtar kryesor i financave dhe thesarit, sekretar i korporatës dhe zyrtar i Auditimit të Brendshëm, të marrin rrogë prej 2 mijë e 100 euro.

Vendimin të cilin e nënshkroi kryesuesi i bordit të përkohshëm, Leonard Shabanaj, dha edhe një arsyetim.

“Deri te miratimi i këtij vendimi për kthimin e përkohshëm të koeficionetit të mëparshëm për gradat 17 dhe 16, ka ardh si rezultat i diferencës së pagave disbalancuese në mes të gradave të mëposhtme, përkatësisht në mes të gradës 17 dhe 16 me gradat 15 e me poshtë”, thuhej mestjerash në vendim.

maj të këtij viti, bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës, të cilin e kishte emëruar Qeveria Kurti kishte marrë një vendim për uljen e pagave për 30% për disa pozita menaxheriale në këtë institucion.

Vendimi i bordit të emëruar nga Qeveria Kurti për ulje të pagave

Ndaj vendimit të bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës sot reagoi edhe Ministria e Ekonomisë ku edhe kërkoi anulimin e vendimit.

Ndërsa, pas raportimit të medieve, reaguan edhe nga Bordi, ku thanë se nuk kishte ngritje të pagave.

Politika në Postën e Kosovës

Tre nga katër anëtarët e bordit të përkohshëm të emëruar nga Qeveria Hoti kanë lidhje politike. Ndërsa, edhe u.d. kryeshefi, i cili u zgjodh para disa javësh, ishte kandidat i njërës prej partive e cila është në koalicion me partinë e Avdullah Hotit.

Hulumtimi i KALLXO.com zbulon se Leonard Shabanaj, kryesues i bordit të përkohshëm në Postën e Kosovës ishte pjesë e partisë së Ramush Haradinajt, AKK-së. Ai ka thënë se që një kohë më nuk është aktiv në politikë.

“Jo, aktualisht nuk jam pjesë e asnjë partie politike, kam qenë para shtatë apo tetë viteve, kam qenë në struktura të rinisë. Jo, nuk ka të bëj me politikën çështja e zjedhjes sime në bord”, ka thënë Shabanaj për KALLXO.com.

Por, ndryshe tregon një fotografi e cila u postua nga Daut Haradinaj në tetor të këtij viti. Ai shihet në zyrat e AAK-së në Pejë, qytet prej nga vjen edhe ai.

Leonard Shabanaj, kryesues i bordit të përkohshëm në Postën e Kosovës

Por, pasi është prezantuar fotografia, ai tha se takimi ishte i rastësishëm dhe vetëm për kafe.

“Shoqëri, veç kafe kemi pi, takim i rastësishëm ka qenë”, tha ai.

Pjesë e politikës është edhe anëtari i bordit, Fadil Aliu. Ai ishte kandidat për deputet për partinë e cila është në pushtet, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në një bisedë për KALLXO.com, Aliu e pranon që ka qenë me LDK-në, ndërsa mohon se ndikoi partia e Isa Mustafës që ai të emërohet në bordin e përkohshëm.

Fadil Aliu, anëtar i bordit te perkohshëm të Postës

“Po, kam qenë kandidat për deputet në vitin 2017, por aktualisht nuk jam pjesë aktive e asnjë partie. Unë jam profesionist e aktualisht s’jam aktiv në politikë. Nuk ka ndikuar politika që të jem anëtarë I Bordit të Përkohshëm, unë e kam pas kërkesë nga Qeveria që të shkoj si trup emergjent për me shku, me kfill gjendjen”, deklaroi ai.

Elda Maloku, anëtarja tjetër e bordit të përkohshëm të Postës është pjesë e politikës. Ajo fillimisht nuk e ka pranuar se është në partinë e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, parti kjo e cila, po ashtu, është pjesë e pushtetit.

“Unë nuk i përkas asnjë partie politike, nuk ka asnjë ndikim politika në punën që bëj. Gabim jeni, unë nuk jam. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e Nisma-s”, ka thënë ajo.

Elda Maloku, anëtare e bordit të përkohshëm të Postës

Por, kolegu i saj në bordin e përkohshëm dhe kryesuesi, Leonard Shabanaj e ka konfirmuar se në foto nga një mbledhje e partisë së Nismës është Elda Maloku.

Me vendimin e datës 3 dhjetor, pagën prej 2 mijë e 500 eurove parashihet ta marrë kryeshefi i Postës. Aktualisht, u.d. kryeshef ekzekutiv është Xhevdet Smakiqi.

Smakiqi ishte kandidat për deputet nga partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet e fundit nacionale.

Në një bisedë për KALLXO.com, Smakiqi tha se nuk ka ndikuar politika që ai të marrë pozitën në Postën e Kosovës. Ndërsa, tha se ka kohë që më nuk është aktiv në politikë.

“Jo, nuk jam në Nisma. Që një vit nuk jam aktiv, në fakt zyrtarisht kam dhanë dorëheqje në shtator, por aktiv në politikë nuk jam që një vit. Nuk jam as në AAK, as anëtar as lidhje nuk kam. Para dy-tre jave jam zgjedhur kryeshef, nuk ka lidhje me politikë zgjedhja ime. Unë Haxhi Shalën e njoh si deputet unë jam i pavarur”, deklaroi ai.