Lidhjet e kompanisë së anëtarit të bordit të ZRrE-së me Devollët

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Hulumtimi zbardh edhe lidhjet e kompanisë “Electra”, në të cilën është bashkëpronar edhe Selman Hoti, anëtari i Bordit të ZRrE-së, me bizneset e Blerim Devollit.

Selman Hoti, anëtari i bordit të Zyrës së Rregullatorit, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” zbulon që “Electra” ka qenë kontraktor i dy kompanive të lidhura me Blerim Devollin, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”. Saktësisht “Electra” e ka ndërtuar parkun solar në Gjakovë. Këtë punë “Electra” e ka bërë para se Selman Hoti të emërohet si anëtar Bordi në ZRrE.

Pronari i kompanisë “Eletra”, Selman Hoti dhe bashkëpronari i tij, Lutfi Gashi, nuk kanë pranuar të intervistohen nga “Jeta në Kosovë”.

Hoti ka thënë se nuk do të flas para kamere për këtë punë, por është përgjigjur me shkrim.

“Unë si anëtar i bordit të ZRrE-së kam përgjegjësi ligjore të marr vendime të rëndësishme për sektorin e energjisë dhe për kompanitë e licencuara… Në dijeninë time dhe pas njoftimit të dërguar në AKK për këtë çështje, unë nuk jam në konflikt interesi me askënd dhe siç e shpjegova më lart marrëdhëniet kontraktuale që ka ndërmarrja private “Electra” Sh.P.K. me cilindo biznes vendor apo ndërkombëtar mund t’i referoheni menaxhmentit të saj”, ka thënë Hoti më 11 mars për “Jeta në Kosovë”.

 

Ai ka shtuar se ka dërguar njoftim në AKK ku i ka shpjeguar të gjitha rrethanat ligjore që kanë kanë të bëjnë me emërimin e tij si anëtar i bordit të ZRrE-së nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ndërsa Lutfi Gashi, bashkëpronari i Selman Hotit në kompaninë “Electra”, nuk ka pranuar të flas para kamerave. Ai nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara në adresën zyrtare të kompanisë.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndrru emri në “Abrazen”.