Lidhet koalicioni Nisma-AKR, Fatmir Limaj kandidat për kryeministër

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re sot kanë lidhur koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli.

Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së tha se dy partitë  i ka bashkuar puna e pastër që kanë bërë në të kaluarën.

“AKR dhe Nisma do të jenë në koalicion parazgjedhor. Lista do të ketë kandidatin për kryeministër, unë besoj se edhe AKR dhe Nisma do të bëjnë një garë të fortë. Kemi punuar në mënyrë të ndershme dhe transparente, në këtë mandat edhe pse nuk ka shkuar deri në fund kemi punuar pa asnjë skandal, askush nuk mund ta drejtoj gishtin ndaj punës tonë. Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Limajn, kemi qenë një zë i punës së mirë”, tha Pacolli para gazetareve.

Ndërsa, i pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se koalicioni është një lajm i mirë për Kosovën, ndërsa ai tha se do të jetë kandidat për kryeministër i këtij koalicioni parazgjedhor.

“Besoj që është një lajm i mirë për vendin, për politikën në vend. Ne kemi marrë vendim të bashkohemi dhe presim edhe grupet tjera politike të na bashkohen. Është një lajm edhe për simpatizantët e partive tjera”, tha ai.

“Jemi serioz t’i fitojmë zgjedhjet. Koalicioni Nisma dhe AKR janë forcë serioze për të fituar zgjedhjet, do ta shihni në ditët në vazhdim. Ne i kemi duart e hapura për grupime tjera, unë do të jem kandidat për kryeministër i këtij koalicioni”, tha Limaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate tha se do të jenë përcaktuese për Qeverinë e re.

“Nisma dhe AKR do të jetë përcaktues në Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Po e bëjmë një gjest të madh dhe zoti na ndihmoftë. Jemi të hapur për parti të vogla, koalicioni Nisma-AKR shkon e vetë në zgjedhje”, deklaroi Fatmir Limaj.

Ai ka refuzuar të jap përgjigje rreth një koalicioni me AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Nuk kemi nevojë t’i japim përgjigje askujt, sot i kemi dhënë vetës përgjigj”, deklaroi Liamj.