
Presidenti sirian, Bashar al-Assad - Foto: REL/EPA-EFE
Lideri i rebelëve thotë se nuk do të ndalen pa e rrëzuar Assadin
Qëllimi i koalicionit rebel të Sirisë, në ditën pasi mori një tjetër qytet të madh brenda javës, është që ta rrëzojë presidentin autoritar të Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë Abu Mohammad al-Jolani, lideri i grupit kryesor të militantëve që po i prin kundërshtimit luftarak në vend, ka raportuar CNN pas një interviste ekskluzive që e ka zhvilluar me të.
Al-Jolani nuk ka lënë asnjë fije dyshimi se ambiciet e “Hayat Tahrir Al-Shamit” (HTS) – grupit të formuar prej ish-luftëtarëve të lidhur me “Al-Qaedan” – janë që të rrëzohet presidenti dhe regjimi i tij. Në intrvistën e tij të parë pas disa vjetësh, në një lokacion të fshehtë në Siri, ai ka folur për planet për krijimin e një qeverie të bazuar në institucione dhe me një “këshill të zgjedhur nga populli”.
“Kur flasim për objektivat, qëllimi i revolucionit mbetet rrëzimi i këtij regjimi. Është e drejtë e jonë që të përdorim të gjitha mjetet e mundshme për ta realizuar këtë qëllim”, ka deklaruar Al-Jolani.
“Farat e disfatës së regjimit gjithnjë kanë qenë brenda tij… iranianët u munduanta ringjallnin regjimin, duke blerë kohë, dhe më vonë rusët u munduan t’i jepnin shtytje. Por e vërteta mbetet: regjimi është i vdekur”.
Prejse kanë nisur të zgjerojnë territorin e tyre prej anës veriperëndimore të vendit para më shumë se një jave., kryengritësit kanë nisur të shënojnë përparim të madh, duke marrë kontrollin e qytetit të dytë më të madh, Halepit, para se të marrin edhe kontrollin e qytetit strategjik Hama.
Ofensiva e rrufeshme konsiderohet goditje e madhe për Assadin dhe mbështetësit e tij, Iranin dhe Rusinë, duke ringjallur luftën civile që ka më shumë se dhjetë vjet që e ka rraskapitur vendin.
Forcat opozitare janë të decentralizuara dhe kanë ideologji të ndryshme, megjithëse janë bashkuar rreth qëllimit të përbashkët për rrëzimin e regjimit të Assadit. Por rrënjët e HTS-së dhe Al-Jolanit në lëvizjet islamike ekstremiste u qesin hije ambicieve të tyre.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com