Foto: ZPRK

Liderët shtetërorë bëjnë homazhe në 20-vjetorin e sulmeve terroriste në ShBA

Në kujtim të 2 mijë e 977 viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, bënë homazhe së bashku presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe zv.ambasadori amerikan, Nicholas J.Giacobbe.

Të njëjtit përballë pllakës përkujtimore “Kosova kujton” vendosën kurora me lule duke kujtuar sulmet terroriste që kanë ndodhur para 20 viteve.

Presidentja Osmani tha se Kosova sot është duke e ndarë dhembjen me ShBA-në.

“I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me pro-amerikan në botë do të qëndrojë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas ShBA-së”, thuhet tutje në njoftimin për media.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Kosova e mbarë populli shqiptar është tronditur nga këto sulme, pasi që në mes këtyre dy kombeve është e stërndërtuar një lidhje e fuqishme miqësie e emocionale.

“Kosova vazhdon të mbetet partner besnik i ShBA-së në të gjitha angazhimet ndërkombëtare të tyre“, ka thënë tutje Konjufca.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se në këtë ditë po përkujtohet 20-vjetori i sulmeve vdekjeprurëse që tronditën të gjithë e se Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe pazëvendësueshëm i Kosovës.

“Nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan”, ka shtuar Kurti.