Liderët shqiptarë bëhen bashkë për ta qeverisur Bujanocin

Partitë Shqiptare në Luginë të Preshevës kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëqeverisje të komunës së Bujanocit.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi përmes një publikimi në Facebook ka bërë të ditur se marrëveshja është nënshkruar është e domosdoshme për ruajtjen e shumicës shqiptare në Luginë.

“Sot është arritur Marrëveshja për bashkëqeverisjen e Komunës së Bujanocit. Pas një procesi të gjatë negociatash mes subjekteve politike shqiptare në Komunën e Bujanocit, Partia për Veprim Demokratik duke qenë nën peshën e detyrës historike dhe nevojën institucionale si dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së shumicës shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëqeverisjes. Partia për Veprim Demokratik ka udhëhequr të bashkërenduar me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme me një proces të përbashkimit të qasjes politike karshi Beogradit në procesin e zgjedhjeve parlamentare ku triumfuam me tre deputet shqiptarë. Falënderojmë për një rol të jashtëzakonshëm të Ministrit Gent Cakaj në një moment kur po hapen shtigje të reja politike në një ballafaqim që kërkon unitet për të realizuar të drejtat kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Më shumë unitet për barazi e për drejta në një moment kur proceset rajonale dhe dialogu Kosovë-Serbi është në prag”, ka shkruar Kamberi.

Katër subjekte politike shqiptare të komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Serbi, që njihet si Lugina e Preshevës, janë marrë vesh në janar të këtij viti që të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Arritja e marrëveshjes sipas tyre është pikënisje për të synuar fuqizimin e zërit të votuesve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se Bujanoci do të qeveriset drejt nga shqiptarët e nuk do të varet nga askush tjetër, përveç shumicës shqiptare.

“Miq, miq, miq: NJË SUPER LAJM NGA ZEMRA E LUGINËS SË PRESHEVËS: Partitë politike shqiptare tashmë kanë mbyllur marrëveshjen për bashkëqeverisje në Bujanoc. Kjo është pothuajse e arritura më domethënëse që kemi shënuar bashkërisht në Luginë: Bujanoci do të qeveriset drejtë nga shqiptarët e nuk do të varet nga askush tjetër, përveç shumicës shqiptare. Personalisht i detyrohem një falënderim të posaçëm z. Nagip Arifi, z. Shaip Kamberi, z. Shqiprim Musliu e z. Arbër Pajaziti që i qëndruan fjalës së dhënë në mbledhjen e djeshme në Tiranë duke arritur këtë marrëveshje që është jetike për Bujanocin e shqiptarët e Luginës! Neve, ndërkaq, na takon ta vazhdojmë punën e pakursyer në shërbim të mbështetjes së Luginës e gjithë shqiptarëve në përgjithësi! URIME BUJANOC, LUGINË E PRESHEVËS E SHQIPTARË NË PËRGJITHËSI!”, ka shkruar Cakaj.

Marrëveshja ndërmjet Partisë për Veprim Demokratik, Alternativës për Ndryshim, Lëvizjes për Progresin Demokratik dhe Lëvizjes për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, është arritur në janar, në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Partitë Shqiptare do të kenë tre deputetë në Parlamentin e Ri të Serbisë.

Shqiptarët në legjislaturën e kaluar në Serbi kanë pasur vetëm një përfaqësues, Fatmir Hasani.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, në vitin 2016, partitë politike të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përveç Partisë për Veprim Demokratik, nuk morën pjesë në garën zgjedhore për shkak të siç kishin deklaruar, pakënaqësisë për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve në Serbi.